Serbia: Do të ndërpresim marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në dhe BE-në
Ndër veprimet e para të Serbisë ndaj vendeve të cilat do ta njohin pavarësinë eventuale të Kosovës do të ishte tërheqja e ambasadorëve nga ato vende, por jo edhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike, shkruan në numrin e djeshëm "Politika" e Beogradit. Dje, Këshilli për Siguri Kombëtare i Serbisë, ka shqyrtuar masat e politikës së jashtme të cilat Beogradi mund t‘i ndërmarrë ndaj shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës, por hollësitë nuk janë bërë të ditura. Rusia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, deklaroi përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Aleksandar Bocan-Harçenko, duke shtuar se duhen ndërmarrë masa për pengimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë dhe të konflikteve që mund të shkaktojë ajo. Harçenko paralajmëron Prishtinën se po shkel rezolutën 1244 të KB-së dhe Kartën si dhe të gjitha normat e Kombeve të Bashkuara. Ai konsideron se kërkesa e Serbisë për mbajtjen e seancës urgjente të Këshillit të Sigurimit është e "bazuar dhe me kohë për shkak të përkeqësimit të situatës rreth njohjes së (mundshme) të pavarësisë së Kosovës", që siç tha "mund të ndodhë të dielën". Harçenko thotë se Rusia në seancën e KS të KB-së, edhe një herë do të theksojë pozicionin e saj dhe do të "thërrasë partnerët të mbledhin mend"!