Gurakuqi dorëzon në PDK kërkesën për kongres
Dorëzohet pasditen e djeshme në selinë e PDK-së kërkesa zyrtare për kongres të jashtëzakonshëm, e cila ka për qëllim largimin e kryetarit Nard Ndoka. Dorëzimi zyrtar i kësaj kërkese konfirmon përplasjet që po ndodhin brenda Partisë Demokristiane, të cilat janë mohuar publikisht nga kryetari Ndoka. Në momentin që ministri dhe kryetari i demokristianëve kërkon të shuajë zërat se në PDK-ja ka konflikte, zv/ministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi, ka dorëzuar dje në orën 18:00 në selinë e demokristianëve kërkesën për kongres të jashtëzakonshëm. Kohët e fundit është vërë re qartë beteja mes dy demokristianëve dhe ajo që vlen të theksohet se që të dy janë pjesë e qeverisë "Berisha", njëri si ministër Shëndetësie dhe tjetri si zv/ministër i Jashtëm. Kryesia e PDK-së, njeh kryetarin e partisë me vendimin për mbajtjen e kongresit, i cili është dorëzuar dje nga një grup prej tre vetash dhe që kryesohej nga zv/ministri Gurakuqi. Gjysma e grupit parlamentar dhe një pjesë e mirë e anëtarëve të Kryesisë së PDK-së kanë akuzuar kryetarin Ndoka për personalizim të pushtetit. Nga njëra anë Ndoka mohon ekzistencën e konflikteve të brendshme në parti, por zhvillimet e fundit ku zyrtarë të lartë të kësaj partie, të cilët janë edhe në rang zv/ministri janë hedhur kundër tij si kryetar partie, duke e cilësuar PDK-në pa identitet me kryetarin aktual.