Rama: Zgjidhja për shëndetësinë? Do të pyesim mjekët
Vështrimi socialist i "Dialogut me Shqipërinë" paraditen e djeshme është përqendruar në sektorin e shëndetësisë. Kushtet e punës dhe ato të shërbimit në poliklinikat e kryeqytetit janë larg standardeve bashkëkohore të trajtimit të pacientëve. Ka qenë ky konkluzioni i menjëhershëm që ka nxjerrë dje, kryetari i PSSH-së, Edi Rama, së bashku me mjekë dhe të sëmurë, që trajtohen pranë tyre. Gjatë një vizite që ka zhvilluar në Poliklinikën nr.9 dhe Qendrën Shëndetësore nr.4 në Tiranë, Rama ka dëgjuar edhe shumë ankesa nga ana e bluzave të bardha që shërbejnë në këto institucione. Madje, ata kanë tentuar që të justifikojnë edhe veten, kur i drejtojnë pacientët drejt qendrave private shëndetësore për analiza, edhe kur ato janë të thjeshta. "Ne nuk bëjmë dot një mbjellje të kulturës së fytit, sepse nuk ka laboratorë dhe detyrohemi që t‘i themi pacientit shkoni në privat sepse s‘ka laboratorë apo pajisje për këto analiza", tha një mjeke, gjatë bisedës me kreun e PS-së. Ajo renditi ndër të tjera si shqetësim edhe kushtet higjienosanitare, që sipas saj bëhen të pamundura nga mungesa e ujit në këto institucione. Një tjetër problem ku biseda është ndalur gjatë ka qenë edhe lista e barnave të rimbursueshme. Kështu, njëra prej mjekeve të poliklinikës është shprehur se "lista e barnave është shumë e cunguar. Njerëzit s‘mund t‘i marrin pa rimbursim, sepse kanë një ekonomi mjaft të dobët". Pakënaqësinë e tij për ilaçe të rimbursueshme e ka shprehur edhe një pensionist i kësaj zone, i cili ka pohuar edhe varfërinë e brezit të tij që me pensionet e muajit nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat më elementare. "Kjo qeveri e prapë na ka hequr ato barna që ne na vlenin. Unë me atë pension që kam, s‘kam ç‘bëj, do t‘i marr ato ilaçe se i kam për tension. Me të keq e përballoj jetën, gatuaj unë se jam vetëm, një gjellë për 6 ditë, me këtë e kaloj jetën në varfëri të tejskajshme", u shpreh ai, duke kërkuar që barnat për moshën e tretë të jenë në numër sa më të madh të rimbursueshme. Vetë kryetari i PS-së, Rama, gjatë këtyre bashkëbisedimeve duket se e ka rreshtuar veten në krah të bluzave të bardha, aq shumë të sulmuar në këtë periudhë nga opinioni publik lidhur me çështjen e korrupsionit. Megjithatë për këtë të fundit nuk është folur në këtë takim.
"E vërteta është që mjekët, infermierët, të gjithë njerëzit e shërbimit bëjnë sakrifica dhe punojnë shpeshherë në kushte tërësisht skandaloze. Aty ku këto kushte skandaloze ekzistojnë, sepse ka vende të tjera dhe pjesë të tjera të Shqipërisë ku këto nuk ekzistojnë", u shpreh kryesocialisti Rama. Ai nuk ka munguar që të ofrojë edhe një zgjidhje për këtë situatë. "Ajo që ne do duhet të bëjmë dhe që do të bëjmë, është që t‘i japim jetë një politike të re. Në radhë të parë, duke u konsultuar me njerëzit e sistemit, duke u konsultuar me ata që rrezikojnë çdo ditë në vijë të parë, e që me rroga e me stimuj qesharakë, e me kushte mizerabël, në mungesë të plotë mjetesh, nganjëherë, arrijnë të shpëtojnë jetë njerëzish, arrijnë të ndihmojnë prindërit e rinj, siç ishte rasti i konsultorit sipër, arrijnë të bëjnë mrekulli", deklaroi Rama. Ai vijoi duke theksuar mirënjohjen për njerëzit e sistemit të shëndetësisë dhe duke garantuar se shumë shpejt do të vijë dita që ata të kenë atë që u takon, ashtu siç e mendojnë. "Në radhë të parë do të kenë një politikë, që do të jetë politikë e formësuar në bashkëpunim me ta, duke i dëgjuar, duke u konsultuar, duke ju marrë mendime në të gjithë Shqipërinë, në qytet dhe në fshat dhe duke arritur që t‘i japim jetë asaj Shqipërie që meritojnë fëmijët tanë", u shpreh kryetari i PS-së. Ai ka garantuar se politika e re e socialistëve do të sjellë një ndryshim, që nga pagesat e personelit mjekësor në vend dhe në të gjitha kushtet e domosdoshme për një shërbim sa më qytetar të mjekut, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.