Trojet, ndryshojnë çmimet për 6 qarqe
Ndryshohet harta e vlerës së pronave të paluajtshme në gjashtë qarqe të rëndësishme të vendit. Qeveria ka vendosur dje që të ndryshojë çmimin e vlerës së tokës në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Shkodër. Në këtë mbledhje është miratuar harta e re e vlerës së tokave, si truall, tokë bujqësore, sipërfaqet e livadheve, sipërfaqet pyjore, tokat në zonat rurale dhe ato urbane. Duke iu referuar këtyre çmimeve që u takojnë vetëm komunave të qyteteve të mëdha, në mbledhjen e qeverisë është miratuar vetëm çmimi i tokës për zonat rurale dhe është shtyrë ai për zonat brenda qyteteve. Duke iu referuar relacionit të paraqitur nga AKKP-ja vihen re disa shqetësime të kësaj agjencie, ku disa nga problemet lidhen me zbatimin e metodikës së vlerësimit, e cila është miratuar nga Kuvendi. Planet rregulluese nuk përmbajnë koeficientët e duhur, ndërsa planet rregulluese të miratuara para vitit 1990 nuk përputhen me vijën kufizuese të ndërtimeve. Për disa qytete nuk ka studime urbanistike të miratuara. Lejet e ndërtimit për periudhën 2001-2006 nuk kanë të dhëna për koeficientët që përcaktojnë pjesën e pronarit në zhvillimin e ndërtimit. Për të vendosur këto çmime trojesh janë analizuar të gjithë treguesit e lejeve të ndërtimit të dhëna nga viti 2001 deri më sot. Po kështu, është marrë parasysh çmimi i shitjes së banesave nga Enti Kombëtar i Banesave dhe janë marrë të dhëna fiskale nga drejtoritë e tatim taksave si edhe çmime që vijnë nga tregu i lirë nga agjencitë imobilare. Për efekt llogaritjeje ekspertët kanë punuar me mesataren e këtyre çmimeve së bashku. Në vendimin e miratuar dje nga qeveria nuk janë paraqitur hartat e vlerës së pronave të paluajtshme për zonat turistike dhe ato industriale për mungesë të informacionit të kërkuar për sa i përket treguesve të zhvillimit, po ashtu dhe atyre hartografikë.
Çmimet e ndryshuara
Në Qarkun e Elbasanit, çmimi më i lartë i tokës është 16176 lekë për metër katror, në zonën e Librazhdit dhe më i ulëti është Belshi me 2980 lekë për m². Në Fier, çmimi maksimal është 3593 lekë për m² dhe ai minimal është 1843 lekë për m². Për Qarkun e Durrësit, çmimi më i lartë është në Shijak, me 3561 lekë për m² dhe më i ulëti është në Manëz me 786 lekë për m². Ndryshime kanë pësuar edhe çmimet e tokës në Vlorë, ku në Dhërmi një metër katror kap vlerën e 2281 lekëve, në Palasë shkon deri në 1729 lekë, në Orikum shkon në 17867 lekë, në Radhimë është 2143 lekë. Në zonat e tjera turistike si Ksamil, shuma e një metër katrori shkon në 3686 lekë kurse në Zvërrnec është 1617 lekë.
Çmimet për Tiranën
Për Qarkun e Tiranës, në Zallher, çmimi maksimal i truallit është 1641 lekë për m², në Prezë është 2065 lekë për m², në Komunën Vaqarr, është 2367 lekë për m², në Arbanë, 2216 lekë për m². Çmimi më i lartë në Komunën e Tiranës është në Kamëz, ku një metër katror kushton 2834 lekë. Në Yzberisht është 2576 lekë për m², në Pezë është 2095 lekë për m², dhe në Ndroq çmimi i një metër katrori shkon në 1914 lekë.