Administrata zgjedhore
Një nga problemet më të mprehta të reformës zgjedhore është edhe administrata zgjedhore. Me gjithë ndryshimet e kohëpaskohshme që janë bërë nga Kuvendi i Shqipërisë, ajo mbetet shqetësuese dhe një nga çështjet që kërkon një rregullim shterues. Ndryshimet e miratuara në janar 2007, nuk arritën të sendërtonin një administratë zgjedhore më të aftë. Siç dihet atëhere, me ligjin nr. 9675, datë 13.01.2007, Kuvendi ndryshoi nenin 154 të Kushtetutës, duke e rritur numrin e anëtarëve të KQZ-së nga 7 në 9. Me të njëjtin ligj u rrit në 4 vjet mandati i të zgjedhurve vendorë, i cili qysh prej miratimit të Kushtetutës ishte sanksionuar në tre vjet. Gjithashtu, me ligjin e sipërcituar, Kuvendi ndryshoi ligjin e mëparshëm zgjedhor, duke parashikuar, ndër të tjera, edhe rritjen e numrit të anëtarëve të komisioneve të ulëta (KZQV, KQV, GNV), komisione që u përcaktuan me 13 anëtarë dhe një sekretar. Ky ndryshim imponohej nga krijimi i balancës së partive politike në komisionet zgjedhore, duke rritur përfaqësimin e forcave politike në to.
KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht shtimit në numër të anëtarëve të tij, ndërtohet me anëtarë të caktuar nga Presidenti i Republikës, Kuvendi dhe KLD-ja, në përputhje me përcaktimet e parashikuara në nenin 154 të Kushtetutës. Sipas këtij neni, anëtarët e KQZ-së duhet të jenë personalitete të fushave të ndryshme. Neni 22 i Kodit Zgjedhor parashikon procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së dhe në këtë mënyrë përbërja e tij reflekton ndikimin e partive.
Komisionet e ulëta
Pothuajse në të gjitha zgjedhjet e përgjithshme ose vendore, komisionet e niveleve të ulëta kanë shfaqur ngarkesa të mëdha politike. Rritja e numrit të anëtarëve të komisioneve të ulëta nuk ka sjellë përmirësimin e procesit zgjedhor, por ka rritur mundësitë e konflikteve brenda vetë këtyre komisioneve. Shtimi i numrit të anëtarëve të komisioneve të ulëta ishte thjesht një marifet për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor pak para zgjedhjeve lokale të shkurtit 2007. Aq më i padobishëm është ky numër i madh në grupet e numërimit të votave, ku procedura e parashikuar nga Kodi Zgjedhor, ia ngarkon të gjitha procedurat mekanike të numërimit të votave kryetarit, zëvendëskryetarit dhe deri diku sekretarit të GNV-së. Komisionet e niveleve të ulëta, për shkak të detyrave të përcaktuara fare qartë në Kodin Zgjedhor, kanë nevojë për një strukturë të zhdërvjelltë dhe të saktë.
Dhjetë rekomandime për administratën zgjedhore
1. Është e nevojshme të gjenden mekanizma për eliminimin e ndikimit të partive politike në vendimmarrjen e KQZ-së, duke përmirësuar procedurat e paraqitjes dhe përzgjedhjeve së kandidaturave për anëtarë të KQZ-së. Kundërshtitë me Kushtetutën, që parashikohen nga neni 22 i Kodit Zgjedhor, duhet të eliminohen, duke riformuluar nenin 22 të Kodit Zgjedhor në frymën e nenit 154 të Kushtetutës, me qëllim garantimin e një përbërjeje profesionale të KQZ-së.
2. Paraqitja e kandidaturave për anëtar të KQZ-së në mënyrë individuale apo nga grupe të caktuara, përpara organeve që zgjedhin anëtarët e KQZ-së mund të përbëjë një zgjidhje të qenësishme. Një procedurë e tillë do të ishte nominimi dhe dëgjimi publik i kandidaturave, i cili do të mund të siguronte përmbushjen e parashikimeve kushtetuese dhe do të rriste besueshmërinë te kandidaturat potenciale, por edhe tek institucioni që ata do të përfaqësonin.
3. Komisionet Zgjedhore të Qeverisjes Vendore (dhe Komisionet e Zonave Zgjedhore) duhet të kthehen sërish në përbërjen me 7 anëtarë, ose mund të shkohet edhe më tej në reduktimin e numrit në 5 anëtarë, gjë që do të sillte zhdërvjelltësi të procedurave dhe një administrim më të dobishëm të buxhetit të zgjedhjeve.
4. Megjithëse propozimi i komisionerëve mund të vazhdojë të mbetet atribut i partive politike, është e nevojshme që e drejta e tyre për të zëvendësuar komisionerët zgjedhorë të kufizohet në maksimum, duke e lejuar vetëm në raste të jashtëzakonshme, të përcaktuara shprehimisht në Kodin Zgjedhor.
5. KZQV-të dhe KZZ-të duhet të përbëhen prej anëtarëve që kanë kryer arsimin e lartë. Një kriter i tillë nuk është i vështirë të përmbushet dhe krijon premisa për ngritjen e komisioneve më profesionale.
6. Numri i anëtarëve në Komisionet e Qendrave të Votimit duhet të zvogëlohet. Madje, KQV mund të përbëhen prej 3 ose 5 anëtarësh. Zvogëlimi i numrit të anëtarëve të KQV-së mund të shoqërohet me rritjen e numrit të vëzhguesve të subjekteve politike.
7. Grupet e numërimit të votave duhet të ngrihen me persona të trajnuar në mënyrë të vazhdueshme mbi procedurat e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit. Ligjvënësi mund të rivlerësojë procedurat konkrete për numërimin e votave, me qëllim rritjen e dobishmërisë të të gjithë anëtarëve të grupeve të numërimit. Në të njëjtën kohë, Kodi Zgjedhor mund të lejojë (në nenin që përcakton detyrat e KQZ-së) që gjatë një procesi zgjedhor, KQZ-ja të aplikojë përjashtimisht në një ose më shumë njësi zgjedhore, në formën e projekteve pilot, mënyra alternative mekanike ose kompjuterike për numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit. Modalitetet e numërimit dhe vlerësimit të votave në këtë rast mund të rregullohen me akt normativ të KQZ-së.
8. Partitë politike duhet të propozojnë Komisionerë me eksperiencë në procese zgjedhore ose të pajisur me certifikatë për ndjekjen e kurseve të trajnimit mbi procedurat zgjedhore.
9. KQZ nuk duhet të emërojë komisionerë zgjedhorë, të cilët janë ndëshkuar administrativisht në zgjedhjet pararendëse.
10. Kodi Zgjedhor duhet të parashikojë sanksione më shtrënguese ndaj komisionerëve zgjedhorë, të cilët kryejnë shkelje si të karakterit administrativ ashtu edhe të karakterit penal.