E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo në gjysmëfinale, derbi mbyllet me grushte

Dinamo ka siguruar kalimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë pas një barazimi pa gola ndaj Partizanit, por derbi mes dy skuadrave do të kujtohet më shumë për zënkën masive që shpërtheu në përfundimin e ndeshjes. Pas 90 minutave të një ndeshjeje mjaft të bukur, me dy shtylla të goditura dhe shumë raste nga të dyja palët, stadiumi "Qemal Stafa" është kthyer në një ring boksi, ku lojtarët e të dyja ekipeve, përfshirë edhe pjesëtarë të stafit teknik, kanë shkëmbyer grushte dhe të shara ndaj njëri-tjetrit, duke shëmtuar një shfaqje që kishte argëtuar tifozeritë e pranishme. Pas një shkëndije mes Vicetiç dhe Pinarit, në "betejë" janë përfshirë edhe Kuli, Devolli apo Osmani, të cilët më pas janë larguar nga fusha e lojës të shoqëruar nga forcat e rendit, të vetmet që arritën të qetësonin situatën, duke "prangosur" përkohësisht lojtarët gjaknxehtë e duke i larguar ata nga fusha e lojës. Gjithçka ka kaluar në plan të dytë rezultatin teknik, ku barazimi 0-0 i ka dhënë të drejtë Dinamos për të vazhduar në turin tjetër të kompeticionit, ku do të jetë përballë Tiranës, Vllaznisë dhe Elbasanit, skuadra pretendente për të fituar Kupën e Shqipërisë.

Një takim mjaft interesant ka qenë edhe ai mes Vllaznisë dhe Besës, pasi kualifikimi mbetej i hapur pas rezultatit 2-2 të ndeshjes së parë. Por kuqeblutë, e drejtuar nga Haxhiosmanoviç, kanë fituar pa shumë probleme, edhe pse në formacion mungonte sulmuesi Sinani. Delain ka shënuar golin e avantazhit në minutën e 22-të, ndërsa kavajasit ua kanë lehtësuar më shumë punën vendasve, pasi brenda tri minutash, Lila dhe Ramadani janë ndëshkuar me karton të kuq, duke lënë skuadrën në inferioritet numerik. Falë epërsisë në fushë të Vllaznisë, Kaçi nuk e ka pasur të vështirë të gjejë golin e dytë në minutën e 51-të. Një 11-metërsh i Shaqirit në minutën e 55-të dha iluzionin e një rikthimi të mundshëm të Besës, por Sukaj ka shënuar pas pak minutash golin e tretë, ndërsa Jusufi dhe Kaçi kanë sigluar në minutat shtesë të ndeshjes rezultatin përfundimtar 5-1. Për t‘u shënuar në këtë takim, "ridebutimi" i mbrojtësit Elvin Beqiri me fanellën e Vllaznisë, i pritur me duartrokitjet e "Loro Boriçit" nga tifozeria vendase.

Ndeshja mes Tiranës dhe Kastriotit ka qenë thjesht një formalitet, pasi fitorja 3-0 e bardhebluve në takimin e parë e kishte hipotekuar kalimin e turit. Tirana ka gjetur golin e avantazhit në minutën e 12-të me Hykën, ndërsa më pas ka administruar rezultatin, deri në minutën e 75-të kur Rizvanolli ka vendosur baraspeshën në shifra, duke respektuar në mënyrën më të mirë këtë turne. Ndërkohë, në takimin me Teutës dhe Elbasanit ka ndodhur çudia, pasi durrsakët kanë hedhur tutje kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke shpërdoruar një avantazh të dyfishtë. Teuta shënoi dy gola të shpejtë me Hysën dhe Gegën, duke pretenduar gjysmëfinalet. Por Ahmataj ka shkurtuar diferencën në pjesën e parë, ndërsa në 45 minutat e dyta, dominimi territorial i skuadrës së Alimehmetit ka sjellë edhe golin e barazimit në minutat e fundit me autor Ardian Nuhiun, duke siguruar kualifikimin falë golave të shënuar në fushën kundërshtare. Megjithatë, ky rezultat ka sjellë dyshime te tifozeritë e dy skuadrave, që kanë aluduar për marrëveshje të mundshme në kampionat në favor të skuadrës durrsake.

Kupa e Shqipërisw

Rezultatet

Tirana-Kastrioti 1-1

Hyka 12‘ / Rizvanolli 75‘

Vllaznia-Besa 5-1

Delain 22‘, Kaçi 51‘, 90+4‘, Sukaj 65‘, Jusufi 90+1‘ / Shaqiri 55‘ (11m)

Teuta-Elbasani 2-2

Hysa 9‘, Gega 15‘ / Ahmataj 35‘, Ard. Nuhiu 82‘

Partizani-Dinamo 0-0

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›