Kater aktore ne gare pushteti ne Kosove
1.
Në Republikën e Kosovës, shtetin e ri të pavarur evropian, është në fuqi një zbrazëti juridike dhe e pushtetit. Në terren sot gjenden disa aktorë, të cilët pretendojnë mandat, mandate që janë edhe kundërthënëse njëri me tjetrin.
Autoritetet e Kosovës janë duke e ndërtuar rendin e ri juridik duke u bazuar në shpalljen e pavarësisë, me kalimin e shpejtë të legjislacionit nga Paketa Ahtisari, i cili do të kulminojë me Kushtetutën e vendit. UNMIK-u ende qëndron në Kosovë nën Rezolutën 1244, me një mandat, i cili deri tani ka presupozuar vendimmarrje sipërore në vend. Bashkimi Evropian ka marrë mandat që të mbikëqyrë pavarësinë e Kosovës, prapë brenda Rezolutës 1244. Autoritetet e Beogradit po vënë nën kontroll të drejtpërdrejtë të tyrin atë që deri dje kamuflohej si "institucione paralele".
Aty ku ka katër pushtete njëkohësisht, e kjo është treguar me dypushtetësinë e UNMIK-ut e institucioneve kosovare, nuk ekziston pushteti, pra nuk ekziston funksionaliteti shtetëror.
Dhe kjo nuk është gjendje që tejkalohet lehtë e shpejtë. Interpretimi i rendit juridik dhe shtrirjes së pushtetit do të jetë pjesë e debatit intensiv në muajt që vijnë.
2.
Këtë e ka kuptuar Serbia, e cila ka hyrë në një garë për vendosjen e realiteteve të reja. Brenda tri javësh të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të Rusisë, është duke ndërtuar një realitet funksional dhe një bazë juridike që e mohon legalitetin dhe legjitimitetin e shtetit të ri, si në viset e banuara me serbët, ashtu edhe në marrëdhëniet juridike ndërkombëtare. Synimi imediat i autoriteteve serbe është që të krijojnë së paku dy forma të administrimit të Kosovës. Në njërin do të administronin institucionet e Republikës së Kosovës të mbikëqyrura nga ICR/Eulex. Në tjetrin do të administronin "institucionet paralele" serbe, nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut.
Për më tepër, ky dualitet administrimesh do të bartej edhe në luftën për legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke mbajtur UNMIK-un si përfaqësues ndërkombëtar të Kosovës për ato shtete që nuk e njohin shtetin e ri.
Këtë gjendje e ka parë më së miri NATO-ja, e cila e ka një mision që e kupton vetë dhe që e kuptojnë edhe të tjerët: ruajtja e tërësisë tokësore të Kosovës nëpërmjet ruajtjes së kufijve të saj. Por, atë që e di NATO dhe që dinë aktorët e tjerë të pushtetit, është që NATO-ja mund ta ruajë Kosovën prej jashtë, por nuk mund ta ruajë në marrëdhëniet që vendosen brenda.
3.
Kjo që po përjetojmë është "ndarja e butë", apo siç quhej po ashtu "ndarja e zvarritur" e Kosovës dhe do të jetë dinamika kyçe që do të vendosë për ritmet politike në Serbi e në Kosovë.
Te që të dyja shoqëritë, ndarja faktike e Kosovës do të jetë gjenerator negativ politik, duke thithur energjitë politike e ekonomike, posaçërisht të Kosovës, e cila duhet ta konsolidojë veten si shtet i pavarur.
Por, ndarja faktike e Kosovës tashmë ngrihet si indikator i politikës evropiane. Evropa për herë të parë në historinë e saj ka marrë ingerenca të forta, e të paprecedente, shtetformuese me misionin e ri në Kosovë. Nëse Misioni i BE-së nuk mund të funksionojë në tërë territorin e Kosovës, për shkak se këtë e pengon de facto Serbia, atëherë kemi të bëjmë me akt të Serbisë drejtuar kundër BE-së. E nëse është kështu dhe është demonstruar gjatë javëve të kaluara kur është penguar prania e BE-së në pjesën veriore të Kosovës, atëherë pak rol luan deklarimi i njërës apo palës tjetër në garat politike në Serbi; kuti matës për demokracinë në Serbi është se sa janë të gatshëm të pranojnë punën e BE-së në Kosovë në mbikëqyrjen e pavarësisë dhe implementimin e Paketës së Ahtisarit.
Nga ana tjetër, nëse mbërrihet gjendja faktike, që Paketa e Ahtisarit të jetë obligativ vetëm për shqiptarët, por jo edhe për serbët, atëherë këto obligime do të rrënohen nga brenda, e me të edhe politika evropiane, që është ndërtuar mbi rekomandimet gjithëpërfshirëse të ish-kryetarit finlandez.
4.
Nëse vazhdon gjendja e tanishme e aktivitetit të Serbisë me mungesë përgjigje më të fortë nga Evropa, do të jetë mungesa e një politike të bashkuar evropiane ndaj Serbisë, dobësia e politikës së saj të jashtme në këtë moment dhe do të jetë e sërishme nevoja e ndërhyrjes politike amerikane për të përcaktuar kufijtë e veprimeve të Serbisë. Nga ana tjetër, nëse Kosova mban këtë ritëm të njohjes së pavarësisë së saj nga shtetet e Botës së Tretë, atëherë rrezikimi i legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit të ri do të jetë po ashtu rrezikim i politikës së jashtme evropiane, që solli "shpalljen e koordinuar të pavarësisë".
Që të dyja këto shtylla të cenimit të Kosovës, nga brenda dhe nga jashtë, janë pjesë e një politike të përcaktuar bashkërisht nga Serbia dhe Rusia.
Por, me to, tashmë, nuk cenohet vetëm Kosova, por në masë të madhe do të cenohet edhe kredibiliteti evropian