Barak Obama fiton sërish
Barak Obama fiton sërish. Ai ka mundur rivalen Hillari Klinton në shtetin e Misisipit, ku ka marrë 60.7 për qind të votave kundrejt 37.1 për qind të ish-zonjës së parë. Rezultati nuk është vendimtar, por gjithsesi rrit prestigjin e rij mes demokratëve dhe i jep më shumë delegatë për konventën e gushtit, ku partia do të zgjedhë kandidatin e saj për Shtëpinë e Bardhë. E ndërsa në kampin kundërshtar gara është mbyllur, kandidati republikan, Xhon MekKejn, është fokusuar tani te mbledhja e fondeve dhe gjetja e një zëvendëspresidenti. MekKejn, që tashmë e ka të sigurt nominimin republikan në konventën kombëtare të republikanëve, në shtator, pasi e ka fituar numrin e nevojshëm të delegatëve, është nën presion për të ndërtuar një fushatë inteligjente për zgjedhjet e nëntorit. Duke folur për CNN-in nga Çikago, Obama ka falënderuar zgjedhësit e Misisipit për mbështetjen. Rezultatet e djeshme ndërkohë kanë pasuar një ditë fushate intensive, të karakterizuar nga një sërë përplasjesh mes rivalëve demokratë mbi çështjet kyçe. Një mbështetëse e Hillari Klintonit ka deklaruar se Obama kishte rezultuar i suksesshëm vetëm për shkak të etnitetit të tij. "Nëse Obama do të ishte i bardhë, nuk do të ishte në këtë pozitë", tha ajo. Klinton u detyrua të reagonte duke thënë se nuk ishte dakord me komentet e mbështetëses. I pyetur mbi marrëdhëniet e acaruara dukshëm mes dy kampeve rivale, Obama tha se fushata e tij kishte qenë shumë e kujdesshme kur binte fjala për komentet mbi Hillari Klintonin. "Unë kam qenë i kujdesshëm sa herë kam thënë atë që mendoj për senatoren Klinton. Mendoj se është një person i aftë dhe nëse do të fitojë nominimin, unë sigurisht do ta mbështes atë", ka thënë ai duke shtuar se i njëjti qëndrim nuk shihej te kampi rival. Pas rezultateve të Misisipit, u vu re qartë një elektorat i ndarë në linja raciale. Obama mori mbështetjen e nëntë prej 10 zgjedhësve me ngjyrë të këtij shteti, ndërsa Klinton fitoi rreth tre të katërtat e votave të zgjedhësve të bardhë. Tani, ndalesa e radhës është Pensilvania, që ka në lojë plot 158 delegatë. Kjo do të thotë, se ish-zonja e parë, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara. "Do të jem atje çdo ditë, duke luftuar për ju, duke ndryshuar gjërat për ju", tha ajo në një takim me mbështetësit në Harrisburg të Pensilvanisë. "Le të bëjmë së bashku historinë. Faleminderit dhe Zoti ju ndihmoftë", tha ajo. Mbi bazën e sistemit proporcional të Partisë Demokratike, Obama ka marrë të paktën 17 nga 33 delegatët e Misisipit, ndërsa Klinton, 11. Pesë të tjerë do të ndahen në vazhdim. Obama është pretendenti që kryeson aktualisht, me 1596 delegatë kundrejt 1484 të Klintonit. Për marrjen e nominimit të demokratëve, nevojiten 2025 delegatë. Ndërkohë, Xhon MekKejn, që ka mundur të mbledhë më pak fonde se sa kundërshtarët e tij demokratë, ka filluar një tur në shtete të ndryshme të Amerikës, në një përpjekje për të mbushur arkat e fushatës së tij. Senatori i Arizonës do të ndalet në Boston, Pensilvani dhe Çikago, gjatë kësaj jave.