E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe 100!

Ta themi që në fillim: Gëzuar "Shqip"! Edhe 100! Sepse sot, gazeta ka ditëlindjen. Mbush dy vjeç. Ndaj, asaj dhe vetëm asaj, i takon ky urim i parë.

Pra, si sot, dy vjet më parë, më 13 mars 2006, "Shqip" do të niste rrugëtimin e vështirë. Do ta niste udhën e gjatë, por të bukur, jo thjesht për të qenë një gazetë më shumë në tregun e ndenjur shqiptar. "Shqip" kishte një mision dukshëm të qartë: Të ishte një revolucion në median e shkruar, ashtu si "Top Channel" në median vizive. Ua premtoi lexuesve dhe ua tha këtë me çiltërsinë e një fëmije.

Dhe po ia arrin gjithnjë e më shumë. Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë e muaj, gazeta po rritet, po bëhet më profesionale, por edhe më tunduese. Që nga formati, fytyra, cilësia e deri te lajmet, mënyra si ata paraqiten dhe i ofrohen "shqip" lexuesit. E këtë e kanë kuptuar lexuesit tanë, ditë pas dite, që nga 13 marsi i dy viteve më parë, deri më sot. Janë pikërisht lexuesit, ata që na tregojnë se po rritemi shëndetshëm. Janë po ata që na "tërheqin" veshin kur gabojmë. E ne, ashtu si fëmijët, u kërkojmë falje dhe u premtojmë që nuk do ta përsërisim gabimin. Ndoshta mund të bëjmë përsëri gabime (sepse "kush punon, edhe gabon"), ama jo të njëjtët. Kurrsesi!

Por nuk ka qenë e lehtë për të arritur deri këtu. Është dashur shumë punë, mund e djersë për ta ndjekur hap pas hapi qëllimin tonë, për të mos e humbur atë. Janë dashur orë, ditë e muaj punë të lodhshme nga të gjithë ata kolegë të nderuar, gazetarë e bashkëpunëtorë, të cilët e filluan atë shumë kohë para se "Shqip" të dilte në dritën e botimit, shumë kohë para se t‘u tregonte lexuesve se ishte vërtet një risi për tregun shqiptar. Faleminderit, pra, të gjithëve dhe gëzuar dyvjetorin "Shqip".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›