E Diel, 1 Nëntor 2026

"Societe Generale", një tjetër i arrestuar

Policia franceze ka arrestuar edhe një tjetër punonjës të "Societe Generale" të mërkurën, në vazhdë të hetimit në lidhje me mashtrimin më të madh bankar në historinë moderne. Arrestimi u bë pasi një firmë ligjore amerikane tha se kishte hartuar një padi kundër "Societe Generale", duke supozuar se banka e dytë, më e madhe në Francë, kishte keqpërdorur paratë e investitorëve dhe kishte dështuar të vepronte pas marrjes së informacioneve për mashtrimin e Zherom Kerviel. Në janar, "Societe Generale", bëri të ditur se kishte pësuar një humbje prej 4.9 miliardë eurosh për çka fajësonte Zherom Kerviel, një agjent bankar 31-vjeçar. Humbja, e kombinuar me krizën e sektorit imobiliar, e bëri "Societe Generale", vlera e së cilës në treg është mbi 30 miliardë euro, një shënjestër të mundshme. Personi i arrestuar së fundmi, sipas prokurorëve francezë, është një punonjës i një dege të "Societe Generale." Një burim i afërt me çështjen, tha se ai kishte kryer për llogari të bankës një numër veprimesh në fushën e ndërmjetësimit. Vetë banka, ka refuzuar të japë identitetin e tij. Ndërkohë, i arrestuari i parë, Kerviel, akuzohet tani për thyerje besimi, abuzim kompjuterik dhe falsifikim. Më herët ai ka refuzuar të pranojë fajin. Kerviel pritet të dalë para gjykatësve të premten në një përpjekje për të siguruar lirimin e përkohshëm. Ai ka deklaruar gjithnjë se ka vepruar i vetëm, por ka insistuar se bosët e tij kishin injoruar aktivitetin e tij për sa kohë që ai kishte qenë fitimprurës. Një hetim i brendshëm po zhvillohet në bankë dhe deri më tani është vërtetuar se ka munguar kontrolli që mund të kishte ndaluar agjentin të shkaktonte këtë tërmet gjigand.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›