E Diel, 1 Nëntor 2026

Po pozita dhe opozita tjetër?

Mazhoranca dhe opozita bien dakord për të bërë ndryshimet kushtetuese në ligjin elektoral. Ky është kumti politik më i rëndësishëm i këtyre ditëve, i cili i bën jehonë një marrëveshjeje që akoma nuk dihet se ku është arritur, në cilën tryezë dhe pas cilit debat. Dihet vetëm se dy partitë e mëdha në vend, që vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën plot tension në sallën e Parlamentit, të kundërshtojnë ligje e të bëjnë deklarata kundërthënëse, të flasin njëra për sukseset e tjetra për vuajtjet e fshatit, të mbajnë qëndrime krejt të kundërta për reformën fiskale, paskan edhe një idil të fshehtë në mes vetes. E zbuloi këtë marrëveshja zgjedhore, ku stina e dashurisë midis dy forcave më të mëdha politike qenka jashtë syve të publikut dhe dëshmitarëve. Një dashuri që shfaqet kur duhet, së cilës mund t‘i vihet emri NATO apo BE, por që në fakt duhet të jetë krejt tjetër: Interesi pragmatist i këtyre dy partive, për të kurorëzuar të qeta qeverisjen e për të vendosur me dorë të lirë brenda kampeve respektive për emrat e deputetëve e dhënë fund njëherë e mirë demokracisë së brendshme në parti. Në klimën gjithnjë të ndezur politike në Shqipëri të së gjithë periudhës së pluralizmit, një detantë politike, aq më shumë përpara eventeve të mëdha është mjaft e mirëpritur dhe me interes publik të gjerë.

Mirëpo dashuria e fshehtë, e zbuluar nga ligji elektoral, ku akordi u arrit menjëherë dhe jashtë institucioneve, nuk të bind se investimi politik bëhet për hir të konsensusit, të reformave të rëndësishme që përcaktohen si parakusht e standard i domosdoshëm për Shqipërinë dhe të një mentaliteti të ri që kërkohet të instalohet në politikën e re shqiptare. Nuk ka asgjë për të anatemuar nëse dy forcat politike, që kanë tensionuar sa herë kanë dashur politikën, bien dakord mes vetes. Përkundrazi, ky mund të jetë një ogur i mirë, por morali i kësaj dashurie e mirëkuptimi është shumë i dyshimtë. Është i tillë nga prapaskenat që pasuan, nga motivet që janë nisur, nga argumentet e pabesueshme që serviren, nga synimi që kanë. Të jetë ashtu siç thuhet: Arritja e standardeve të larta të zgjedhjeve dhe një përfaqësim i merituar dhe i vërtetë parlamentar, normalisht mbështetja për këtë dashuri duhet të jepet, por pikërisht këto cenohen pas kësaj marrëveshjeje e dashurie me bazë interesi pragmatist. Por goditet tinëzisht edhe baza e demokracisë dhe e parlamentarizmit, pasi kërkohet të ketë thjesht vetëm dy parti, dhe të tjerat të bindura nën ombrellën e tyre politike dhe në atë masë sa t‘i shkojë për shtat humorit të liderit.

Për të justifikuar këtë shfaqje që po luhet, argumentet jepen në emër të demokracisë, zgjedhjeve të qeta, rritjes së cilësisë parlamentare, krijimit të elitave politike, stabilitetit qeverisës e të tjera si këto dhe sillen e mbrohen me aq forcë, sa thua që të gjitha deformimet e deritanishme të sistemit zgjedhor janë produkt i partive të vogla dhe të mëdhatë janë thjesht viktima të tyre! A thua se gjeneratorët e tensionit të deritanishëm politik në Shqipëri paskan qenë pikërisht satelitët e këtyre partive dhe jo vetë ata? Megjithëse krejt e pabesueshme, kjo tezë po serviret si e vërtetë. E ndërsa partitë që cilësohen të vogla reagojnë në bllok (me Gjinushin si gjithnjë të dyzuar), të mëdhatë vazhdojnë përbetimin për demokraci e standarde.

Sigurisht, derisa është menduar për të realizuar këtë marrëveshje e cila penalizon të gjitha partitë e tjera parlamentare në vend dhe kufizon ndjeshëm hapësirat demokratike, është menduar edhe për mbrojtjen publike të saj, por nga do të sillen argumentet, ata nuk mund të mbulojnë një marrëveshje, morali i së cilës është mjaft i dyshimtë. Është i tillë në mjaft elementë të saj që lidhen me motivet e vërteta të hartimit e të përmbajtjes së këtij ligji, të cilin Leskaj e PS-së mbase nuk e priste që Kryeministri t‘ia mbështeste pas një ore, por edhe për faktin se ky ligj në mënyrën që iu servir publikut e politikës nuk mund të bindë. Përbetimi i Berishës për konsensus me opozitën për ligjin elektoral dhe nënshkrimi i Ramës me partitë aleate përpara zgjedhjeve të 18 shkurtit për një konsensus e mirëkuptim në këtë pikë, treguan fare hapur demagogjinë e dy liderëve dhe shitjen e lirë që i bënë ata aleatëve. Më parë Berisha, por më pas edhe Rama, kanë përgjegjësi politike ndaj aleatëve të shpallur. Berisha qeveris jo me një, por me disa parti, kësisoj ai përpara se të kërkojë konsensus në kampin tjetër, i duhet marrëveshja brenda spektrit të tij, për ta ofruar pastaj në funksion të detantës politike tek opozita. Po kështu edhe e majta, e shfaqur aq solide në zgjedhjet lokale, duhej të shkonte me një zë të vetëm përballë partive qeverisëse. Mirëpo asnjë nga këto veprime nuk u krye dhe iniciativat u morën nga dy forcat e mëdha, pa pyetur në se kanë obligime politike me aleatët, apo ato mund t‘i përdorin si e kur të duan, duke treguar kësisoj një shpërfillje fyese ndaj forcave politike e segmenteve të pranuara më parë prej tyre. Identifikimi i mazhorancës me një emër dhe i opozitës me emrin tjetër, tregon se arroganca politike është shumë më e rrezikshme se sa prania e partive "të vogla", të cilat paskan bezdisur deri në atë shkallë të "mëdhenjtë" sa nuk po kursehen për t‘i dërmuar e asfiksuar politikisht. Por kjo tregon se sa të pavërtetë dhe false qenkan raportet e forcës së parë me të tjerat në kampet respektive, sa sinqerisht janë ndërtuar koalicionet, sa të besueshme dhe obliguese janë marrëveshjet, se sa të sigurt duhet të ndjehen votuesit në thirrjet e ardhshme elektorale, kur këtu tradhtohen parti, e jo më individë.

Shqipëria e sotme politike ka edhe një mazhorancë dhe opozitë tjetër, e cila nuk u përfill. Janë jo pak, por gjashtë parti në grupin qeverisës dhe katër në opozitë, gjykimet dhe konsensusi i të cilave nuk merret aspak në konsideratë, por konsensusi kërkohet vetëm te dy subjekte politike, pavarësisht peshës së tyre elektorale. Zgjedhjet e fundit lokale nuk u dhanë partive të mëdha më shumë se 48% të votave në Kuvend, dhe 52% tjetër nuk mund të mos ketë përfaqësimin e tij parlamentar dhe të zhduket, sepse kështu e kërkon oreksi i Berishës me Ramën. Mazhoranca dhe opozita tjetër, e shpërndarë në disa parti, janë në fakt edhe instrumente që rrisin jo vetëm shkallën e lirisë, por edhe mundësitë e përfaqësimit të realiteteve në vend. Kjo goditje që i bëhet partive të vogla, dhe për shumëkënd duket e arsyetuar, është një goditje që i drejtohet standardit të vetëm të plotësuar të parlamentarizmit dhe demokracisë, por kur ta ndjejmë dhembjen, nuk kemi se kujt t‘i ankohemi më. Sepse deputetët do të jenë rreshtuar sipas preferencave dhe servilizmave ndaj liderëve, sepse identiteti i tyre do të jetë tërësisht i përhumbur, se hapësirat e lirisë do të ekzistojnë vetëm në fjalimet e oligarkëve partiakë dhe asgjëkund tjetër. Intelektualët e përzgjedhur, të cilët duhet të formojnë elitën politike shqiptare, sigurisht me këtë partitokraci që siguron ligji, do të kenë edhe cilësinë e bindjes absolute, pasi çdo mendim i pavarur i eliminon politikisht menjëherë.

Nëse vërtet publiku shqiptar është bezdisur nga prania e shumë partive, ai duhet të jetë i lirë të vendosë, dhe jo të vendosin kartonët e imponuar të dy subjekteve, që dakordohen çuditërisht sa herë u bashkohen interesat e tyre, pa pyetur në se interesat e përfaqësimit të publikut vihen shumë në pikëpyetje. Mirëkuptimi i interesave të pozitës dhe opozitës së madhe ka bërë që edhe debati të jetë në rrafsh analistësh, ndërsa protagonistët politikë të argumentojnë këtë vetëm me deklarata. Ndërsa në kampin tjetër, Meta në mënyrë të veçantë e të qartë, po edhe Ceka, Mediu, Ndoka e të tjerë, kërkojnë ballafaqim publik, prej të cilit të "mëdhenjtë" fshihen. LSI-ja, standardi i opozitës me alternativa dhe jo deklarata e shfaqje populiste, hap sfidën publike të garës. Pikërisht kësaj i druhet PD-ja dhe PS-ja, të cilat me marrëveshjen e vet idilike kërkojnë që t‘i japin fund pozitës dhe opozitës tjetër. Të shohim nëse do ta arrijnë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›