E Diel, 1 Nëntor 2026

Edukata qytetare si sfide per integrimin

Njazi Spahiu është ndër ata njerëz që i janë përkushtuar me gjithë shpirt punës që bëjnë. Prej 9 vjetësh ai është administratori i një firme që përgjigjet për pastrimin e një pjese të konsiderueshme të kryeqytetit. Megjithatë, ai nuk qëndron në zyrë. Gjatë gjithë ditës dhe natës atë e gjen pranë pikave të grumbullimit të mbeturinave për të parë se si dhe kur tërhiqen ato nga makineritë e firmës. "Punojmë natë e ditë. Njerëzit shikojnë mbeturina rrugës dhe na akuzojnë, por janë pikërisht ata shkaktarët e ndotjes. Nuk ka edukatë qytetare, kazanët janë bosh dhe ata i hedhin mbeturinat jashtë. Në vendet e tjera ka orare kur nxirren mbeturinat nga shtëpitë, sepse edhe tërheqja bëhet me orare, por këtu njerëzit i hedhin kur të duan. Ata hedhin rrugëve qese, kanoçe e ambalazhe të tjera dhe ne duhet t‘i mbledhim. Që të mbash pastër këtë qytet duhet që çdo banori t‘i vësh pas nga një pastrues". Firma e tij, muajin e fundit ka rinovuar të gjithë kontenierët e mbeturinave, por brenda një jave të gjithë atyre që ne u themi kazanë, ua vodhën rrotat. Shqetësimi i Njaziut është në fakt një problem social, por më shumë se kaq, ai është treguesi më i madh i një shoqërie paraqytetare.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës është një dëshmi e madhe se historia është duke punuar mbarë për ne shqiptarët, më në fund. Lëvizjet gjeopolitike dhe strategjike ka të ngjarë që pas disa javësh të na dërgojnë edhe në gjirin e NATO-s. Gjithashtu ne jemi duke u treguar shumë ambiciozë dhe pas ratifikimit të MSA-së nga të gjitha vendet anëtare, do të kërkojmë të marrim statusin e vendit kandidat për në BE. Pak ditë më parë u çelën bisedimet politike për heqjen e regjimit të vizave me BE-në. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet politikisht për t‘iu bashkuar kësaj familjeje të madhe që përbëhet nga vende të fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht. Por jo vetëm kaq, kjo familje e madhe është edhe bartëse e vlerave të mëdha civile e qytetare. Rrëfimi i Njaziut pikërisht na vuri në mendime në këtë pikë. Sa civile, qytetare dhe e kulturuar është shoqëria jonë? Shumë njerëz mund të flasin në kor se ne jemi pasardhësit e ilirëve, pasardhësit e Skënderbeut të madh, ne jemi mbrojtësit e krishterimit, jemi një popull me tradita të lashta kulturore etj. Personalisht ndjehem keq që po e them, por duhet ta pranojmë, se ne, pra komuniteti në tërësi, jemi ende larg të qenit qytetarë e aq më larg akoma të qenit qytetarë evropianë.

Të gjithë ne jemi dëshmitarë të shumë skenave të tjera si ajo që tregoi administratori i firmës së pastrimit.

Pranë kryqëzimit të "21 Dhjetorit" në Tiranë, një "qytetare" tërhiqte fëmijën prej dore dhe futej mes makinave, edhe pse semafori ishte mbyllur për kalimtarët. Ajo po e dërgonte fëmijën në shkollën "Sabaudin Gabrani", por para se të mësonte shkencë, fëmija po mësonte që të kalosh rrugën nuk është nevoja të presësh semaforin, por mund të futesh edhe mes makinave, ku padyshim një ditë mund të bëhesh edhe viktimë. Të gjithë ne kemi parë se si m‘u bash në sheshin e Skënderbeut të madh, "qytetarët" nuk ecin te vijat e bardha, por mes përmes lumit të makinave, pa e vrarë mendjen fare. Bashkia e Tiranës mbolli pemë kudo rrugëve, por në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit njëra nuk është më. Disa fëmijë "qytetarësh" po përpiqeshin ta thyenin atë, kur një "qytetar" që shiste në një tezgë aty afër u afrua dhe…i ndihmoi për të thyer. Por pemë-viktima ka me qindra nëpër Tiranë. Bashkia vendosi stola përgjatë Lanës tashmë të gjelbëruar dhe atyre pak parqeve që ka qyteti, por shumica e tyre nuk përdoren më, pasi "qytetarët" i kanë thyer. Në çdo festë, si p.sh. "Dita e Verës" apo "1 Maji", "qytetarët" vërshojnë rrugëve dhe parkut të liqenit. E dimë besoj se ç‘mbetet pasi përfundon festa. Duan një javë pastruesit të mbledhin qeset, gazetat, kanoçet, shishet, pampersat e fëmijëve… Edhe një kope bagëtish nuk do të ndoste kaq shumë. E po kështu ne bëjmë edhe në plazhet publike. Të gjithë kemi parë se si në mbrëmje, pasi largohen qytetarët nga plazhi, rëra duket si një vend fushimi ushtarak. Po ashtu, çdokujt mund t‘i ketë rënë rasti të dëgjojë se si një njeri flet me telefonin celular në autobus, duke ulëritur, sa gjithkush mëson se ç‘po thotë e ç‘po i thonë. Të gjithë ne kemi parë e dëgjuar se si boritë e makinave përdoren në vend të përshëndetjes në rrugë, ndërsa atje, në Evropën e qytetërimit, ajo është e ndalur dhe gjobitesh. Po ashtu, gjithkush i jep të drejtë vetes që, edhe pse jeton në një pallat me nja 50 a më shumë familje të tjera, ta ngrejë zërin e magnetofonit në qiell dhe po t‘i ankohesh të thotë: Jam në shtëpinë time e bëj çfarë të dua. Atje, në Evropë, kjo quhet prishje e qetësisë publike dhe dënohet.

Këto dhe një mijë herë më shumë se kaq, mund të duken gjëra të vogla dhe ndokush mund të thotë se nuk përbëjnë ndonjë arsye të madhe për t‘u shqetësuar. Por këto gjërat e vogla në tërësi përbëjnë atë që quhet edukata qytetare. Ato përmbledhin sjelljen me mjedisin, sjelljen me komunitetin, sjelljen karshi shtetit dhe ligjit. Të gjitha këto janë demonstrim i një niveli fare të ulët edukate dhe kulture. Vërtet kjo nuk është tregues i qytetërimit të një populli, por i edukatës qytetare është që ç‘ke me të. Ne jemi një popull që e morëm shumë vonë kontaktin me zhvillimin dhe shumica e njerëzve ende dhe sot replikojnë me "atë gruan" e sekretarisë telefonike, që të flet e s‘të kthen përgjigje. Gjithashtu ne shajmë, apo edhe e godasim, bankomatin kur në ekran shkruhet: "Ju nuk keni kredit të mjaftueshëm për të tërhequr shumën e kërkuar".

Pikërisht ky nivel e ky mjedis antivlerash është një sfidë e madhe, krahas atyre politike e ekonomike, për ambiciet tona integruese. Arsimi gjithnjë e më shumë po i largohet rolit edukativ, ndërkohë që duhet të jetë forca e ligjit që të imponojë disa vlera të domosdoshme për jetesën dhe sjelljen në komunitet. Disiplina dhe edukata u duhet imponuar prindërve që të shndërrohet në normë te fëmijët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›