Igli Tare, asist si titullar
Igli Tare duket se ka arritur të bindë trajnerin Delio Rosi që ta aktivizojë edhe në ndeshjet e rëndësishme. Pas golit të shënuar në Kupën e Italisë, sulmuesi shqiptar ka qenë dje titullar në ndeshjen që Lacio ka zhvilluar kundër Napolit, të përfunduar me barazimin 2-2. Tare ka qenë përsëri protagonist, duke qenë ndër më të rrezikshmit për skuadrën e Lacios në pjesën e parë dhe vetëm dy ndërhyrje vendimtare të Iecos i kanë mohuar atij gëzimin e golit. Megjithatë, sulmuesi ka qenë protagonist në aksionin e golit të dytë për Lacion, duke dhënë një asist perfekt për Pandev. Në pjesën e dytë, shqiptari është zëvendësuar për t‘i bërë vend Rokit, por duket se kjo paraqitje e ka bindur Delio Rosin, që edhe në të ardhmen t‘i besojë më shumë hapësira. Ndërkohë, Erjon Bogdani është kthyer në një lojtar zëvendësues te Livorno, pasi vendi i tij është "uzurpuar" nga Diego Tristan. Bogdani ka hyrë në minutat e fundit të ndeshjes kundër Empolit, duke arritur t‘i gëzohet fitores minimale 1-0 të skuadrës së tij.