E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi përgatit sulmin, 50 milionë euro për Eto‘o

Samuel Eto‘o mund të transferohet në Angli. Lajmin e kanë bërë të ditur dje mediat britanike, të cilat kanë treguar për interesimin e Çelsit ndaj sulmuesit të Barcelonës. Kamerunasi është një prej futbollistëve më të pëlqyer nga presidenti Abramoviç dhe trajneri Grant. Ky i fundit e ka bindur miliarderin rus të shpenzojë 50 milionë euro për të afruar Eto‘o në fillimin e sezonit të ardhshëm, kur skuadra do të pësojë një ndryshim rrënjësor, me largimin e mundshëm të Drogba dhe Shevçenko. Barcelona nuk e ka nxjerrë në shitje lojtarin, por duke parë mbipopullimin në repartin e avancuar dhe shpërthimin e yjeve të rinj si Krkic e Xhovani, pa harruar edhe "investimin" me blerjen e Henri, atëherë marrëveshja mund të realizohet.

Ndonëse nuk është mbyllur ende merkato e janarit, Çelsi ka zgjedhur të vendosë që tani piketat e të ardhmes, duke bërë të qartë synimet për merkaton e verës. Londinezët janë në kërkim të një sulmuesi cilësor dhe kanë hedhur sytë nga Spanja, ku nuk mungojnë goleadorët. Çelsi duhet të zgjidhë dy probleme shumë të rëndësishme në këtë repart, të ardhmen e Drogba dhe të Shevçenkos. I pari ka deklaruar publikisht se dëshiron të largohet nga Anglia, pasi nuk gjen më stimuj pas largimit të Murinjos. Ndërsa i dyti është një shpenzim i kotë i bërë nga londinezët, pasi nuk është shfaqur asnjëherë në nivele të larta që prej transferimit nga Milani. Për këtë arsye, Grant ka kërkuar një lojtar tjetër për sulmin në sezonin e ardhshëm, duke "zyrtarizuar" kështu edhe largimin e dy ish-titullarëve. Në majën e listës së preferencave të trajnerit izraelit është kamerunasi Samuel Eto‘o, i cili shihet si lojtari më i përshtatshëm për sulmin e bluve. Ai shihet si një nga lojtarët më të kompletuar në këtë repart dhe nuk do ta kishte të vështirë të ambientohej me Anelka në repartin e avancuar. Për këtë arsye, janë bërë gati që tani 50 milionë euro për ofertën e parë që do t‘i bëhet Barcelonës. Katalanasit nuk e cilësojnë në shitje futbollistin, por oferta e Çelsit është e parefuzueshme. Skuadra ka aktualisht një mbipopullim në repartin e avancuar, saqë Rajkard është detyruar të përdorë rotacionin për lojtarët. Për më tepër, talentet e reja, Xhovani dhe Krkiç, duken një garanci për të ardhmen dhe falë eksperiencës së marrë gjatë këtij sezoni, pritet që të kthehen shumë shpejt në titullarë të padiskutueshëm, të udhëhequr nga Henri, i cili edhe tek Arsenali ka treguar se di të kthehet në një shembull për të rinjtë. Kjo vë në dyshim pozicionin që do të mbajë Eto‘o dhe një ofertë e mirë mjafton për të bindur katalanasit. Nëse në marrëveshje do të përfshihet edhe Drogba, atëherë Laporta do ta ketë të vështirë për të refuzuar, pasi ka kërkuar prej kohësh sulmuesin nga bregu i Fildishtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›