E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA mund 2-0 Suedinë në miqësore

Nëse trajneri Han po zhvillon vetëm stërvitje me një seleksion lojtarësh të Superiores, kundërshtari në Grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit, Suedia, ka zhvilluar një miqësore me SHBA-në. Trajneri Lars Lagerbak ka dashur të provojë disa futbollistë të rinj në përfaqësuese, duke menduar që tani për eliminatoret që fillojnë në shtator me sfidën në Tiranë. Ndonëse në fushë ishin futbollistë që nuk kishin arritur të luanin më parë me kombëtaren, Suedia tregoi se është një kockë e fortë për çdo kundërshtar, edhe pse u mund 2-0 nga SHBA-ja. "Në 15-20 minutat e para nuk arrinim të koordinoheshim në fushë, por pastaj arritëm të shfaqnim vlerat tona. Ishim shumë mirë në pjesën e dytë, por fatkeqësisht u ndëshkuam me një 11-metërsh", u shpreh Lagerbak pas përfundimit të ndeshjes. Sipas mediave suedeze, Lagerbak ka bërë të ditur se një pjesë e këtyre lojtarëve mund të figurojnë në ndeshjet eliminatore, nëse arrijnë të konfirmojnë formën e mirë që po kalojnë edhe gjatë miqësoreve të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›