Adriano: Kam frikë të kthehem tek Interi
Sulmuesi i Interit, Adriano, duket se po
merr në konsideratë idenë për të mos
u kthyer më në radhët e skuadrës zikaltër.
Në një intervistë të dhënë për gazetën
"Placar", ai ka treguar etapat e karrierës
së tij të vështirë dhe problemet që nuk i
ndahen prej shumë vitesh, më saktësisht
që prej periudhës kur vdiq babai i tij. Pas
shumë problemesh, ai e kuptoi në vjeshtën
e vitit 2007 se ishte mirë që të ndryshonte
përkohësisht ambient, pasi në Itali
ishte shumë më e rëndësishme jeta e tij
jashtë fushës se sa përpjekjet e tij për t‘u
kthyer "Perandori" i dikurshëm. Për më
tepër, askush nuk arrinte ta kuptonte trishtimin
e tij pas vdekjes së babait. "Kur
vdiq babai im, unë nuk arrita të shkoj në
funeralin e tij. Pas pak kohe fillova ta kuptoj
se ai nuk ishte më pranë meje dhe kjo
filloi të më peshonte. Në vitin 2005-2006
nuk kalova një sezon të mirë në Itali,
shënova vetëm 4 gola. Ishte një periudhë
e keqe. Bëra të pamundurën për të mbërritur
në formë të mirë në Botëror, por nuk
ia arrita qëllimit", tregoi Adriano për
gazetën braziliane. Më pas, biseda i kthehet
jetës personale të Adrianos dhe problemeve
të tij të vazhdueshme me jetën e
natës nën shoqërinë e femrave dhe alkoolit.
"Fotot e vitit 2006? Fotografi më
kërkoi para, por unë nuk ia dhashë. I
thashë që mund t‘i publikonte fotot,
pasi nga unë nuk do të merrte asgjë. Ai
ua shiti gazetave, ndërsa më pas u arrestua
për zhvatje", u shpreh sulmuesi. Më
pas, ai foli për ndryshimin drastik,
kthimin në Brazil te San Paolo, pasi e
kuptoi se tek Interi nuk do të gjente më
vend. "E di që kam humbur një vit të jetës
sime. Dua të bëhem përsëri një lojtar i
madh te San Paolo, të rigjej lumturinë e
të qenit një futbollist dhe të kthehem në
kombëtare. Tani gjithçka varet nga unë.
Dua t‘u provoj italianëve se jam përsëri
Adriano. Megjithatë, jam pak i pasigurt
për të gjithë atë që ka ndodhur. Kam
gabuar dhe e pranoj një gjë të tillë, por
shtypi në Itali nuk ka qenë asnjëherë
simpatizues ndaj meje. Është e kuptueshme
që nuk jam ende i bindur për
t‘u kthyer, duke gjetur të njëjtën trysni",
përfundoi Adriano.