Spastrimi i Abramoviç, dhjetë largime në verë
Spastrime te Çelsi. Pronari i
klubit londinez, Roman
Abramoviç, është gati të urdhërojë
largimin në masë nga
"Stemford Brixh". Në shitje pritet
të dalin të paktën 10 futbollistë që
kanë kaluar një sezon të turbullt,
si brenda ashtu edhe jashtë fushës
së lojës. Vendimi i manjatit rus
nuk do të ndryshojë, edhe nëse
skuadra arrin të sigurojë një nga
dy trofetë, ku është ende në garë
(titullin në Premiership dhe
Ligën e Kampioneve). Lajmi është
bërë i ditur nga e përditshmja
britanike "Daily Express", sipas së
cilës ky operacion do të sjellë në
arkat e klubit rreth 60 milionë
paund (diçka më shumë se 78
milionë euro). Abramoviç është i
tejet i acaruar me lojtarët e Çelsit
pas dy humbjeve turpëruese: fillimisht
në finalen e Carling Cup
përballë Totenhemit dhe më pas
eliminimi nga Bansli (skuadër e
kategorisë së dytë) në FA Cup.
Synimi i manjatit rus është që të
largojë nga skuadra lojtarët që,
sipas tij, kanë zhgënjyer dhe të
afrojë emra të rinj, të cilët do të
jenë në gjendje të rikthejnë klubin
te triumfet. Ndryshimet e
parashikuara nga miliarderi Abramoviç
dhe nga shefi ekzekutiv
Pitër Kenion do të realizohen pavarësisht
faktit nëse në krye të
stolit do të qëndrojë tekniku
Avram Grant, apo do të emërohet
një trajner i ri.
Didier Drogba dhe Frenk Lampard
mund të jenë dy emrat më
të mëdhenj që do të largohen,
edhe pse zyrtarët e Çelsit kanë
pohuar se dëshirojnë t‘i mbajnë.
Në gjurmët e sulmuesit nga Bregu
i Fildishtë janë vënë prej kohësh
Reali i Madridit dhe Milani,
ndërkohë që e ardhmja e Lampard
lidhet më së shumti me Juventusin,
edhe pse Barcelona
vëzhgon me kujdes situatën. Një
tjetër emër i madh që do të vazhdojë
karrierën larg Çelsit është
edhe Andrij Shevçenko: rikthimi i
ukrainasit te Milani është çështje
muajsh. Valixhet po i përgatit
edhe francezi Florent Maluda, i
blerë gjatë verës për 17 milionë
euro. Pavarësisht afrimit të
bujshëm, ish-lojtari i Lionit nuk ka
bindur në fushë. Emrat e tjerë
janë më pak të rëndësishëm.
Bëhet fjalë për portierin e dytë,
Karlo Kudiçini, i cili është i akuzuari
kryesor për humbjen përballë
Barnslit. Lista plotësohet nga
Huliano Beleti (që ka kushtuar
5,2 milionë euro), Klaudio Pizarro,
Stiv Siduëll dhe Tal Ben Haim,
ndërkohë që 35-vjeçari Klod
Makelele mund të tërhiqet në
fund të sezonit.
Duke u kthyer te trajneri, pozitat
e Grant vazhdojnë të mbeten të
lëkundura. Abramoviç i ka ofruar
detyrën danezit Majkëll Laudrup,
që aktualisht drejton Gedafen në
Primera Division. Sipas spanjolles
"As", pronari i Çelsit është shprehur
i gatshëm që t‘i paguajë klubit
iberik shumën e përcaktuar në
klauzolën për prishjen e kontratës
së Laudrup, plotë 2 milionë euro.
Gazeta ka theksuar se kjo ka mjaftuar
që Gedafe të bindet për të lënë
të lirë danezin.