E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Askush nuk duhet të imponojë idetë, të arrihet marrëveshja për sistemin zgjedhor

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka vënë "gishtin në plagë", duke fajësuar partitë e mëdha për mungesën e konsensusit për hartimin dhe miratimin e reformës zgjedhore. Duke folur nga Durrësi, Presidenti i Republikës ka bërë thirrje për zgjidhje konsensusi dhe jo imponim të debatit në lidhje me temën më të rëndësishme që del sot para klasës politike shqiptare, e cila është në fakt një nga kushtet kryesore për hyrjen në NATO.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një ditë pas propozimit për ndryshime në Kushtetutë, ka ftuar partitë të reflektojnë dhe dialogojnë për arritjen e një marrëveshjeje për sistemin zgjedhor në vend. Mesazhi i kreut të shtetit shqiptar ka qenë i qartë, duke ftuar të gjitha partitë, të mëdha e të vogla, në një debat gjithëpërfshirës dhe konstruktiv. "Është e drejta e partive të vendosin për të ardhmen e sistemit zgjedhor, por zgjidhja duhet t‘u shërbejë të gjithë shqiptarëve", tha Presidenti Topi në përgjigje të interesimit të gazetarëve për reformën zgjedhore. Deklaratat për sistemin zgjedhor dhe problematikën që ka sjellë reforma në arenën politike shqiptare është bërë dje pas mesditës nga kreu i shtetit, në përfundim të një takimi për çështjet e bujqësisë, që u zhvillua në Manzë të Durrësit. Topi theksoi se në këtë proces nuk duhet të ketë përjashtime, ndërsa dialogu gjithëpërfshirës duhet të institucionalizohet. Ai ka ftuar partitë në një debat të gjerë para se të vendoset për ndryshime thelbësore me ndikim në Kushtetutën e vendit, pasi çdo ndryshim në të duhet të sigurojë edhe votat e duhura në Parlament. Reagimi i kreut të shtetit erdhi pas propozimit të bërë nga socialistët për një sistem proporcional rajonal, propozim ky që gjeti mbështetje te kampi demokrat. Presidenti Bamir Topi, duke vazhduar, theksoi se nxit dialogun për gjetjen e një marrëveshjeje mes palëve për reformën zgjedhore. Ky ndryshim, sipas tij, duhet të vijë si vullnet i partive në një dialog institucional, ku nuk duhet të ketë përjashtime dhe se duhet mënjanuar diktati në gjetjen e një zgjidhjeje për reformën zgjedhore. Gjithçka duhet të konsumohet brenda ambientit të të gjitha partive politike të interesuara për reformën. "Uroj që partitë të gjejnë një vullnet harmonik, pasi zgjedhjet kanë të bëjnë me vullnetin e të gjithë shqiptarëve", u shpreh Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në fakt, kreu i shtetit edhe një javë më parë bëri thirrje për ndalimin e debateve të kota dhe miratimin e draftit konkret. Por dy ditë më parë ishin partitë e vogla, të cilat kishin keqkuptuar mesazhin e Presidentit Topi. Shefi i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, arriti deri aty sa e cilësoi mesazhin e parë të Presidentit si "një thirrje në shkretëtirë". Pikërisht duke parë këtë keqkuptim, kreu i shtetit shqiptar ripërsëriti apelin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›