Riberi ëndërron të ecë në gjurmët e Zinedin Zidan
Francezi Frenk Riberi, i cili po kalon një sezon të
shkëlqyer me Bajernin e Mynihut, ka bërë të ditur
se synimi i tij është që të bëhet një lojtar po aq i
madh sa Zinedin Zidan. "Do të bëj gjithçka për këtë",
deklaroi mesfushori me tipare sulmuese për të përditshmen
sportive franceze, "L‘Equipe", pasi ishte pyetur
nëse mendonte se mund të krahasohej me Zidan,
që ka qenë një prej lojtarëve më të mëdhenj të të
gjitha kohërave. "Deri më tani jam i kënaqur me lojën
time dhe me atë që kam arritur", vazhdoi Riberi në
intervistën e publikuar. "Jam ende shumë larg nga
Zidan, por kam edhe shumë vite përpara meje për të
luajtur futboll". 24-vjeçari, i cili ishte një ndër lojtarët
kryesorë në kombëtaren e Francës që arriti deri në
finalen e Botërorit 2006, është rritur dukshëm në lojën
e tij, që prej transferimit te Bajerni i Mynihut nga
Olimpiku i Marsejës. Aftësitë e tij unike, loja me fantazi
dhe golat e shkëlqyer e kanë shndërruar në një
idhull te gjigantët bavarezë, si për tifozët ashtu edhe
për mediat. "Nëse do të vazhdoj të qëndroj në këto
nivele dhe të bëj një paraqitje të mirë në Kampionatin
Evropian, ky mund të jetë një vit i madh për mua", tha
ai, duke shtuar se nuk e fsheh ambicien për të fituar
trofeun prestigjioz, "Topi i Artë". "Nuk mund ta fsheh
që mendoj ta fitoj", vazhdoi Riberi. "Unë jam një futbollist
që dëshiron të fitojë gjithçka, e nëse do të jetë
e mundur të fitoj edhe ‘Topin e Artë‘". Në fund, Riberi
ka hedhur poshtë çdo mundësi se mund të kthehet
te ndonjë klub francez: "Nuk e shoh veten duke luajtur
përsëri për një skuadër franceze, madje as me Lionin.
Këtu te Bajerni gjithçka është e organizuar mirë,
as që nuk mund të bëhen krahasime".