Inter, i vogël në Champions. Liverpul, në çerekfinale
Liverpuli fiton 1-0 edhe në takimin e dytë me Interin dhe
kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampioneve me
rezultatin e përgjithshëm 3-0. Një gol i Fernando Torres i
ka prishur festën e 100-vjetorit kampionëve të Italisë,
megjithatë duhet theksuar fakti se në sfidën e kthimit,
zikaltërit ishin inekzistentë. Skuadra e Mançinit vjen në
këtë ndeshje në momentin më të keq: vetëm 1 fitore në 4
ndeshjet e fundit, periudhë ku kanë pësuar edhe humbjen
e parë në Serinë A në Napoli. Janë vendasit që kanë rastin
e parë për shënim, por Reina reagon shumë mirë pas tentativës
së Kruz. Në të 28-ën Interi mund të ndëshkohej, kur
Kambiaso i dhuron topin Fernando Torresit, por spanjolli
nuk kalon dot Hulio Sezar. Pjesa e parë mbyllet me dy
raste shumë të mira për shënim të Kruz, por argjentinasi
i shpërdoron. Në 45 minutat e mbetura situata e
Interit rëndohet edhe më shumë: në të 49-ën Burdiso
ndërhyn në mënyrë të zhbalancuar ndaj Rivas dhe gjyqtari
norvegjez, Ovrebo, e nxjerr nga loja me karton të kuq
(pas dy kartonësh të verdhë). Ibrahimoviç ka në këmbët
e tij shansin për të hapur lojën, por i vetëm me Reinën
gabon në mënyrë të pabesueshme. Zikaltërit luajnë shumë
keq, pa forcë dhe fantazi, ndërsa "Reds" rriten në lojë.
Fillimisht Xherard vë në provë Hulio Sezar, ndërsa në të
63-ën Torres përshëndet rrjetën, duke sjellë heshtjen në
"Xhuzepe Meaca". Këtu përfundon edhe aventura e Interit
në Champions, një aktivitet ku ata mbeten "të vegjël".