E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati, kundër Greqisë fton edhe Çanin

Trajneri i përfaqësueses Shpresa, Artan Bushati,
ka publikuar dje listën e lojtarëve të grumbulluar
për ndeshjen zyrtare të 26 marsit kundër Greqisë,
të vlefshme për eliminatoret e EURO 2009. Në përbërjen
e kësaj liste shihet qartë se objektivi i kuqezinjve
në këtë ndeshje është të zhvillojnë një lojë sulmuese,
pasi Bushati ka grumbulluar shumë lojtarë
ofensivë. Përveç të zakonshmëve, Abilaliaj, Bakaj,
Sukaj, Çaushaj, Malindi dhe Karabeci, këtë radhë në
listë është përfshirë edhe emri i sulmuesit të talentuar
Edgar Çani, i cili gjatë merkatos së janarit kaloi
në radhët e Palermos. Sulmuesi 19-vjeçar nuk ishte
i pranishëm në miqësoren me Maqedoninë që u zhvillua
në muajin shkurt, por duket se këtë radhë është
gati për debutimin e tij me fanellën kuqezi. Në
grumbullimin e kombëtares U21 bie në sy edhe kthimi
i mbrojtësve Lila dhe Arapi. I pari ka munguar në
ndeshjet e fundit të kësaj përfaqësueseje, pasi ishte
i grumbulluar nga trajneri Bariç me kombëtaren e
madhe, ndërsa tjetri vjen nga aktivizimi i rregullt në
kategorinë e dytë daneze me skuadrën e Silkeborg,
lëvizje që u krye gjatë merkatos së janarit. Bushatit
do t‘i mungojnë për këtë sfidë mesfushori Progni, i
skualifikuar, si dhe mesfushorët Hyka e Lika, të
grumbulluar nga Ari Han me kombëtaren e madhe
për ndeshjen miqësore kundër Moldavisë. Trajneri
holandez ka dashur të grumbullojë më shumë lojtarë
nga U21 për këtë sfidë, por ka vendosur të mbajë
vetëm dy mesfushorët për sfidën me Moldavinë,
duke parë rëndësinë që ka takimi zyrtar me Greqinë.
Përfaqësuesja Shpresa gjendet në vendin e katërt
në grupin 1, por është shumë pranë thyerjes së rekordit
të pikëve të grumbulluara në eliminatoret e
kësaj grupmoshe. Bilanci i këtij edicioni është 3 fitore,
1 barazim dhe 3 humbje, ku e fundit ishte pikërisht
ndaj përfaqësueses greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›