E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriano-Ronaldo, festë në Rio mes alkoolit dhe femrave

Duket se sulmuesit brazilianë nuk zënë mend lehtë. Adriano dhe Ronaldo kanë rënë përsëri në kurthin e paparacëve, pasi këtë radhë janë zënë "mat" në një festë të organizuar në Rio De Zhaneiro. Dy futbollistët nuk u janë ndarë pijeve alkoolike, kryesisht birrës, ashtu si edhe femrave të ndryshme, të cilat kanë shfaqur interesim ndaj tyre. Nëse San Paolo nuk e ka cilësuar të gabuar sjelljen e Adrianos, duke e cilësuar me pushime, pritet reagimi i Milanit, pasi kuqezinjtë kishin dërguar futbollistin në Brazil për t‘u riaftësuar nga dëmtimi dhe jo për të festuar deri në orët e vona të natës.

Nëse Milani dhe Interi po luftonin në fushë gjatë derbit, dy sulmuesit brazilianë të këtyre skuadrave, Adriano dhe Ronaldo, po festonin me shokët e tyre në një diskotekë të Rio De Zhaneiros, duke mos u kujdesur as për "Dietën" strikte që i kanë vënë klubet, për shkak të dëmtimeve që kanë kaluar. Lojtarët janë argëtuar në një festë të organizuar nga grupi "Jota Quest", duke mos i kursyer birrat e njëpasnjëshme nën shoqërinë e disa vajzave. Në fakt, të dy i kanë thyer edhe premtimet e bëra pak kohë më parë, sidomos Adriano, i cili ishte zotuar se i kishte dhënë fund jetës së shthurur dhe se tashmë do të mendonte për t‘u kthyer sa më shpejt "Perandori" i zakonshëm. "Nuk do të pi më alkool", ishin fjalët e tij pak ditë para se të huazohet nga Interi te San Paolo, një betim i harruar në festën e dy ditëve më parë. Sulmuesi është shfaqur para fotografëve me kanoçe birre në dorë, i shoqëruar nga miku i tij, Ronaldo, i kthyer në vendlindje para kohe për festat e fundvitit, në vend që të qëndronte në mbështetje të skuadrës për ndeshjen e fundit të 2007-ës. Zyrtarisht, dy lojtarët janë me pushime, ndonëse kjo nuk ishte plan i klubeve për ta, pas dëmtimeve që i kanë lënë për një periudhë të gjatë jashtë fushës së lojës. Më shqetësuese duket situata e Ardianos, i cili ka një histori prej të alkoolizuari, pasi disa muaj më parë e shihte atë si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet. Interi ka preferuar të mos e komentojë këtë situatë, pasi futbollisti është dhënë në huazim te San Paolo. Vetë drejtuesit e klubit brazilian nuk i kanë dhënë shumë rëndësi ngjarjes. "Askush nuk e ndalon lojtarin të shkojë në një festë, ai është i ri dhe është me pushime. San Paolo beson në profesionalizmin e tij", ishte justifikimi zyrtar nga San Paolo, ndonëse në Brazil shumëkush i sheh si pushime të paguara edhe 6-mujorin e huazimit të futbollistit. Ndërsa për Ronaldon, reagimi i kuqezinjve është i pashmangshëm, sidomos pas humbjes në derbi ku ai duhej të ishte protagonist, por ku nuk u aktivizua për dëmtimin e zakonshëm që e mban jashtë fushës. "Duhet të bëjë 3-4 javë fizioterapi. Dëmtimi është shumë pranë riaftësimit, por mbetet një traumë në pulpë", ishte komenti i doktor Runkos, mjekut të Milanit që po merret me riaftësimin e "fenomenit". Natyrisht, festa mes birrave dhe shoqërisë së femrave nuk ishte parashikuar në terapinë e përgatitur nga Milan Lab, ndaj braziliani vështirë se do të pritet me duartrokitje nga drejtuesit e ekipit kur të kthehet në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›