Erjon Bogdani: Nuk përjashtohet transferimi në merkaton e janarit
Erjon Bogdani mund të largohet nga Livorno që në merkaton e dimrit. Tashmë mund të thuhet me siguri se sulmuesi ka humbur vendin në formacionin titullar dhe në janar shqiptari do të vendosë se ku do të luajë. Kievo, klubi që zotëron kartonin e tij, mbetet një alternativë, ndërkohë që kërkesat nuk kanë munguar. Edhe vetë Bogdani nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të luajtur në Serinë B, me skuadrën veroneze: "Deri më tani nuk di asgjë rreth të ardhmes time, do të presim të hapet afati kalimtar i janarit dhe do të shohim se çfarë do të bëhet, deklaroi ai për të përditshmen kosovare "Express". Ka gjasa të rikthehem edhe te Kievo Verona. Ata që vendosin janë pikërisht drejtuesit e këtij klubi, që zotëron kartonin tim". Numri 81 i Livornos nuk preferon të nxitohet, apo të jetojë me shpresa, edhe pse interes për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe Kaljari e Katania në Serinë A. "Kam oferta edhe nga skuadrat e tjera, por unë do të pres janarin dhe më pas do të shohim se çfarë do të bëjmë".
Gjatë verës, për kuqeziun ishte interesuar edhe Roma, madje transferimi në kryeqytetin italian në një moment u duk se u arrit. Pavarësisht kësaj, Bogdani shprehet se nuk u pendua që nga Siena u transferua te Livorno. "Nuk kam gabuar që zgjodha Livornon, pasi këtu kam luajtur mirë dhe mund të them që më ka munguar vetëm goli". Vetëm pak ditë më parë drejtori sportiv i Livornos, Elio Sinjoreli, ka bërë të ditur se klubi nuk dëshiron ta largojë Bogdanin: "Bogdani për ne është një garanci, tha ai. Ka kërkesa të ndryshme për të, por nuk kemi në plan ta shesim. Ai do të jetë mjaft i nevojshëm dhe për pjesën e dytë të kampionatit kemi nevojë mbi të gjitha për golat e tij".