Tare, goli i 30 në Serinë A
Me golin e realizuar të dielën në fushën e Palermos, Igli Tare ka regjistruar rrjetën numër 30 në Serinë A. I afruar në elitën e futbollit italian nga Breshia (ku është aktivizuar për tre sezone), Tare ka milituar edhe për dy sezone me Bolonjën, përpara se të kalonte në radhët e Lacios në sezonin 2005-2006, duke luajtur plot 172 ndeshje. Pas afro 2 vjetësh ish-kapiteni i kombëtares shqiptare rigjen rrjetën dhe i siguron Lacios 1 pikë me mjaft vlera në fushën e Palermos. Kjo sfidë do të mbahet mend gjatë nga Tare jo vetëm për golin, por edhe për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet: pas disavantazhit 2-0, në 35 minuta bardhekaltërit kanë shënuar dy herë, Amauri ka humbur një penallti për palermitanët, ndërsa miqtë e kanë mbyllur ndeshjen me 9 futbollistë. Mediat italiane e vlerësuan rrjetën e tij si një "rreze shprese". "Në të 81-tën Tare ka gjetur golin e barazimit me një të majtë të lehtë, pas asistimit perfekt të De Silvestrit", komentonte "Il Tempo". "Shqiptari ka dhuruar një rreze shprese, duke bërë që Lacio të merrte një barazim, që as nuk e mendonte. Kështu, Viti i Ri për lacialët bëhet më pak i trishtueshëm".