E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i kombetares, vetem firma per Ari Han

Kombëtarja shqiptare duket se ka gjetur trajnerin e saj të ri. Bëhet fjalë për Ari Han, mesfushorin e Holandës së famshme të viteve ‘70, që dominoi në futbollin evropian duke dhuruar spektakël. Ish-trajneri i Kinës dhe Kamerunit ka rënë dakord mbi kushtet e kontratës me drejtuesit e FSHF-së në takimin që këta të fundit kanë zhvilluar me të dhe përfaqësuesit e tij në Vjenë. Ndonëse mungon zyrtarizmi, burime pranë FSHF-së kanë bërë të ditur për "Shqip" se vetëm firma e ndan holandezin nga stoli kuqezi, pasi të dyja palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët në bisedimet e zhvilluara në orët e vona të së dielës. Do të jetë Komiteti Ekzekutiv ai që do të zyrtarizojë gjithçka në një mbledhje që do të organizohet në dy ditët e ardhshme, pasi kërkohet që kontrata e trajnerit të nënshkruhet para fundit të vitit 2007.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas kthimit nga udhëtimi në Vjenë ka saktësuar se Ari Han dhe austriaku Hans Krankl janë dy kandidaturat e vetme të mbetura. "Kemi dy trajnerë me të cilët jemi dakord, teknikë të cilët kanë eksperiencën e mjaftueshme dhe me të cilët kemi gjetur gjuhën e përbashkët gjatë bisedimeve që kemi zhvilluar. Emri i parë është holandezi Ari Han, i cili ka eksperiencë më se të mjaftueshme, pasi është një trajner që prej vitit 1985 dhe ka drejtuar ekipe kombëtare. Ndërsa emri tjetër është ai i Hans Krankl, një trajner i njohur, që ka drejtuar edhe përfaqësuesen austriake më parë. Besoj se gjithçka do ta zgjidhim brenda 2-3 ditësh, për të firmosur kontratën me trajnerin e ri të Shqipërisë para fillimit të vitit 2008", u shpreh Duka pas mbërritjes së tij në Shqipëri.

Nëse presidenti i FSHF-së ka dashur të mbajë gjithçka enigmë, burime pranë FSHF-së kanë saktësuar dje për "Shqip" se marrëveshja me Ari Han është thuajse e nënshkruar. Në fakt, mungon vetëm firma në kontratë, ndërsa në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv do të bëhet vetëm raportimi i kërkesave të holandezit për edicionin e ardhshëm. Sipas të njëjtit burim, eksperienca 20-vjeçare në drejtim e trajnerit holandez është ajo që ka shtyrë presidentin Duka të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje me të, duke parë se ka drejtuar më parë skuadra të njohura kombëtare si Kina dhe Kameruni, ndonëse për periudha jo shumë të gjata. Një tjetër arsye që ka shtyrë FSHF-në të lidhë marrëveshjen me holandezin është se ky i fundit ka një eksperiencë të gjatë edhe në futbollin e luajtur, duke qenë dy herë pjesëmarrës në Botëror, ku ka arritur deri në finale. Pikërisht kjo eksperiencë dhe ideja se Han mund të transformojë lojën e Kombëtares shqiptare në "futbollin total" të aplikuar nga Holanda e viteve ‘70, ka shtyrë presidentin Duka të përzgjedhë ish-mesfushorin që ka luajtur përkrah yjeve si Krujf, Neskens, Rep, Krol dhe Resenbrink.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›