E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate për rishpërndarjen e buxhetit

Vendimi i qeverisë për rishpërndarjen e fondeve të papërdorura në buxhet ka ndezur një debat të ashpër në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës. Mazhoranca pretendon se rishpërndarja e këtyre fondeve është bërë e mundur në sajë të ecurisë së mirë të tatimeve dhe doganave, ndërsa opozita replikon. "Duke pasur parasysh edhe rritjen e ndjeshme të buxhetit vjetor me miratimin e buxhetit shtesë në korrik të këtij viti, si dhe ecurinë e disa projekteve gjatë 2007-ës, ne e pamë të arsyeshme të rishpërndanim këto fonde", deklaroi dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Por, opozita deklaron të kundërtën. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, e konsideron këtë lëvizje të fundit të qeverisë si të detyruar, si pasojë e dështimit në zbatimin e buxhetit. "Ky është buxheti i tretë që na vjen brenda një viti financiar. Kjo tregon se për qeverinë po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të zbatojë buxhetin", tha Malaj. Ish-kreu i Financave ka debatuar në distancë edhe me Kryeministrin. "Qeveria dhe Kryeministri po mundohen që ta shesë këtë buxhet si një sukses, por, në fakt, ky është një tregues i qartë i dështimit në zbatimin e buxhetit dhe implementimit të tij nga ana e qeverisë", vijoi më tej Malaj. Shuma që qeveria vendosi të rishpërndaje është 17 miliardë lekë, ose 5 për qind e buxhetit total të saj.

Debate për të ardhurat

"Qeveria është duke bërë buxhet shtesë, kur nuk ka realizuar të ardhurat", akuzoi Malaj. Sipas tij, realizimi i të ardhurave në buxhet është 100 milionë dollarë më pak nga plani. "Vetëm nga tatimet ka një mosrealizim, që është më i madh se 70 milionë dollarë", vazhdoi më tej ish-kreu i Financave. Por, zëvendësministri Shehu e justifikoi këtë deficit me gjendjen e vështirë financiare që po kalon Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Në rast se KESH-i do të kishte paguar tatimin mbi fitimin, ajo diferencë do të ishte shumë më e vogël", tha Shehu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›