Trajneri Beker i beson Kapllanit
Ndonëse Edmond Kapllani nuk ka gjetur ende golin e tij të parë në Bundesligë, sulmuesi shqiptar ka mbështetjen e plotë të trajnerit Edmund Beker. Ky i fundit, në një intervistë të dhënë për gazetat gjermane, ka bërë bilancin e pjesës së parë të sezonit duke përcaktuar objektivat e këtij edicioni, por pa harruar të flasë edhe për përmirësimet e mundshme të skuadrës surprizë të Bundesligës. Trajneri i Karlsruhes ka pranuar se do të dëshironte të kishte një sulmues me më shumë përvojë, por ai është i bindur se Kapllani do të mund të thotë fjalën e tij në të ardhmen. "Çfarë mund të përmirësojmë të Karlsruhe? Mendoj se do të na nevojitej një sulmues me përvojë. Por gjithsesi, në këtë repart kemi lojtarë të rinj si Kapllani e Frasi, të cilët do të kenë mundësi në të ardhmen të kenë një rol më thelbësor në ecurinë e ekipit", u shpreh ai. Kapllani ka pasur vështirësi në ambientimin me Bundesligën, pasi në ndeshjet e zhvilluara deri tani nuk ka arritur të shënojë asnjë gol, duke humbur edhe një 11-metërsh, ndërsa tani shihet si zëvendësues.