Bekham: Kapelo, trajneri ideal për ne
"Kapelo është lloji i trajnerit që të gjithë futbollistët dëshirojnë të kenë. Ai do të bëjë gjëra të mëdha për Anglinë". Në prag të festës së ndërrimit të viteve të gjithë bëhen më të mirë: ky është edhe rasti i mesfushorit Devid Bekham, që në mënyrë publike i ka thurur elozhe trajnerit të ri të "Tre Luanëve". Mesfushori duket se i ka hedhur pas krahëve problemet e përpara një viti me "Don Fabion", në periudhën kur të dy ishin te Reali i Madridit. Në atë kohë, tekniku italian nuk hezitoi që të linte jashtë skuadrës futbollistin anglez, që vetëm pak ditë më vonë vendosi të firmoste për L.A. Galaksi në kampionatin amerikan, duke i dhënë fund aventurës në kryeqytetin spanjoll (nga ku u largua në fund të sezonit). Por, në fazën finale të kampionatit, Bekham u grumbullua sërish me Realin, madje duke dhënë një kontribut të vyer për skuadrën, që e drejtuar nga Kapelo, arriti të fitonte titullin kampion të Primera Ligas.
Në Angli, punësimi i Kapelos ka ndezur një debat mjaft të fortë: të gjithë kanë ngritur pyetjen se si do të sillet trajneri me ikonën e futbollit britanik. Drejtuesi i ri i stolit ka bërë të ditur se nëse Bekham do ta meritojë vendin në skuadër, ai nuk do të ngurrojë ta thërrasë, ndërsa lojtari është përgjigjur me një intervistë të dhënë për BBC. "Shpresoj të jem në planet e tij, Fabio është një prej trajnerëve të adhuruar nga lojtarët. Të gjithë do të dëshironin që ai t‘i stërviste". "Spice Boy" ka folur edhe për marrëdhëniet e vështira në Spanjë: "Marrëdhëniet tona kanë pasur ulje dhe ngritje. Megjithatë, ai më futi sërish në skuadër, besoi tek unë dhe më aktivizoi në shumë ndeshje". Në fund të sezonit të kaluar, të dy janë larguar nga Reali, pasi rikthyen titullin në "Santiago Bernabeu". "Kapelo më lejoi që të përjetoja një fundsezoni të mrekullueshëm. Kur e larguan nga drejtimi i skuadrës më erdhi vërtet keq. Ai ndryshoi klubin, ndryshoi futbollistët dhe u dha tifozëve atë që meritonin: një titull". Tashmë të dy mund të punojnë përsëri me njëri-tjetrin. Të paktën këtë shpreson Bekham, që momentalisht numëron 99 përfaqësime me kombëtaren. Data 6 shkurt është shansi për të arritur kuotën 100, në miqësoren kundër Zvicrës. "Mendoj se federata bëri diçka të shkëlqyer duke e punësuar. Të gjithë dëshirojnë që t‘i drejtojë një person, i cili di të fitojë dhe është karizmatik. Gjatë karrierës së tij Kapelo ka arritur suksese dhe ka fituar respekt, kjo nuk mund të vihet në diskutim".