E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriano, shansi i fundit për të qëndruar

Drejtuesit e San Paolos kanë vendosur të falin përsëri sulmuesin problematik Adriano, i cili gjatë ditëve të fundit ka bojkotuar stërvitjen. Lojtari i huazuar nga Interi u ka kërkuar falje drejtuesve të skuadrës për sjelljen e tij, ndërsa më pas ka pranuar edhe gjobën që i është vënë, duke kaluar 40% të rrogës mujore në arkat e klubit. Ka qenë një koment i shkurtër i presidentit të klubit, Juvenal Juvencio, për të treguar se gjithçka ishte në rregull dhe se lojtarit do t‘i jepej një shans tjetër. "Ai ka pranuar gabimet e tij dhe ka premtuar se nuk do t‘i përsëritë", tha ai, duke lënë të kuptohet se lojtari mund të aktivizohet që në ndeshjen e sotme në kampionat. Një ditë më parë drejtuesit e San Paolos dukej se nuk do ta toleronin më lojtarin, pasi ky i fundit kishte thyer rregullat në stërvitje. "Nëse nuk e pranon dënimin tonë, është jashtë skuadrës", ishte kërcënimi i zëvendëspresidentit të San Paolos, Barros Silva. Ndërsa edhe përgjegjësi i sektorit futbollistik të klubit, Marko Aurelio Kunja, mendon se situata është e pariparueshme, pavarësisht kthimit të lojtarit në skuadër. "Dënimet nuk funksionojnë asnjëherë. Këtë radhë ai ka bërë tre të tilla. Unë i kam thënë se këtu do të qëndrojë vetëm ai që ndihet mirë dhe punon për skuadrën. Ai duhet të marrë shembull nga Karlos Alberto, i cili kur erdhi këtu po kalonte shumë probleme, por tani po jep maksimumin. Nëse Andrianos nuk i pëlqen më San Paolo, është i lirë të largohet", u shpreh ai, duke lënë të hapur kapitullin e radhës të historisë së sulmuesit brazilian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›