Andrij Shevçenko ka vendosur: Dëshiroj të kthehem te Milani
Andrij Shevçenko dëshiron të rikthehet te Milani. Sulmuesi ukrainas synon që të mbyllë karrierën te klubi kampion Evrope dhe bote. Lajmi i publikuar nga "Corriere della Sera" ka marrë për bazë disa biseda ndërmjet lojtarit dhe miqve të tij më të afërt në Itali. "Do ta mbyll karrierën te skuadra që përfaqëson familjen time. Do të kthehem në shtëpi", ka pohuar Sheva. Nostalgjia për Serinë A rritet nga dita në ditë. Ukrainasi kërkon të ndjehet sërish i rëndësishëm, pas aventurës së dështuar te Çelsi, ku për asnjë moment nuk ka arritur të përshtatet dhe Milani e kampionati italian janë alternativa të përkryera. Në "Stemford Brixh" ai ka qenë thjesht një hije, e arsyet mund të jenë besimi i pakët nga ish-trajneri Hoze Murinjo, ose futbolli anglez, që sipas të gjitha gjasave nuk përshtatet me karakteristikat e tij. Fakti qëndron se në moshën 31-vjeçare, paraqitjet e Shevës janë në rënie, por te Milani janë të gatshëm që ta marrin, duke besuar se ukrainasi ka ende për të dhënë.
Për të përshpejtuar transferimin, duket se lojtari ka filluar të kërkojë një shtëpi në qytetin verior, sepse menjëherë pas marrëveshjes me klubin londinez ai e kishte shitur shtëpinë në liqenin e Komos, ku qëndronte së bashku me bashkëshorten Kristen dhe fëmijët Xhordan e Kristian. Për më tepër, dyert për t‘u rikthyer janë hapur edhe nga dëmtimi i Ronaldos dhe nga problemet e vazhdueshme që Milani ka në repartin ofensiv. Ançeloti ëndërron që ta aktivizojë përkrah Patos në sulm, ndërsa Kaka do të qëndrojë si zakonisht pas shpinës së tyre. Duket se edhe "senatorët" e Milanit kanë miratuar rikthimin e Shevçenkos në skuadër. Edhe presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç, ka dhënë "ok"-in për transferimin e lojtarit, që e kishte kërkuar me ngulm te skuadra londineze. Fillimin e bisedimeve nuk mund ta pengojnë as 46 milionë eurot e shpenzuara nga manjati rus në gusht të vitit 2006. Problemi i vetëm për Shevçenkon në tentativat për t‘u përfaqësuar sërish me fanellën kuqezi është statusi si ekstrakomunitar. Rikthimi i tij mund të limitonte merkaton e Milanit, që do ta kishte të vështirë të afronte ndonjë tjetër yll të futbollit ndërkombëtar, si për shembull Drogba.