Hodgson: Aleks Ferguson refuzoi ofertën e Interit
Sër Aleks Ferguson ka qenë pranë stolit të Interit shumë vite më parë. Zbulimin e ka bërë gazeta "The Times", gjatë një interviste me Roi Hodgson, trajnerin aktual të Fullhemit dhe me një të kaluar në stolin zikaltër gjatë periudhës 1995-1997 (si edhe në një periudhë të shkurtër në vitin 1999). Hodgson është i bindur se Ferguson ka refuzuar ofertën për të vazhduar në projektin e tij te Mançester Junajtid, të cilin e drejton prej më shumë se 20 vitesh dhe me të cilin ka arritur suksese të jashtëzakonshme si në Angli, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
"Unë do të isha çuditur shumë nëse Ferguson do të kishte vendosur të largohej për të drejtuar një skuadër jashtë Anglisë, por e kam ditur që i është shfaqur një mundësi të tillë. Jam shumë i sigurt se para se të merrja drejtimin e Interit, atij iu ofrua ky post, ndërsa unë isha zgjedhja e dytë. Më kujtohet një bashkëbisedim që patëm në atë periudhë: Interi luajti me Mançester Junajtid një miqësore para fillimit të kampionatit dhe në atë rast Ferguson më tregoi se Interi i kishte ofruar atij postin e trajnerit pak kohë më parë. Në fakt, në zgjedhjen mes Ferguson dhe Hodgson, nuk besoj se do të kishin pasur dyshime mbi faktin kë duhej të kontaktonin të parin, zgjedhja nuk do të binte mbi mua. Por për fatin e mirë të Mançester Junajtid, në atë periudhë Ferguson nuk e ndjente nevojën e eksperiencës jashtë Anglisë dhe pas kaq shumë kohe me ‘djajtë e kuq‘ dhe rekordin e kohëzgjatjes në këtë skuadër, do të çuditesha shumë nëse do të vendoste të largohej", ka treguar Hodgson për gazetën britanike.
Por vetë gazeta "The Times" ka treguar se Ferguson nuk po mendon të largohet nga Anglia, por po merr në konsideratë idenë e drejtimit të Kombëtares olimpike të Britanisë së Madhe për Lojërat e vitit 2012, që do të zhvillohen në Londër. Sipas kësaj gazete, lordi Sebastian Koe, presidenti i komitetit organizator të kësaj olimpiade dhe tifoz i flaktë i Çelsit, po përpiqet të bindë skocezin të pranojë këtë post. Vetë Ferguson po mendohet rreth kësaj oferte, pasi nuk dëshiron të marrë përsipër një detyrë tjetër gjatë kohës që drejton edhe Mançester Junajtid. Britania e Madhe nuk përfaqësohet në futboll gjatë Lojërave Olimpike, pasi federatat e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut e shohin këtë si një shkelje të autonomisë së tyre. Por emërimi i Ferguson mund t‘i bindë ata të mbyllin sytë të paktën për aktivitetin që do të zhvillohet në kryeqytetin anglez, për të cilin ka dhënë garanci edhe vetë presidenti i FIFA-s, Josef Blater. Për më tepër, zhvillimi i olimpiadës në Londër e kualifikon automatikisht këtë Kombëtare, duke i dhënë mundësinë Ferguson të vazhdonte qetësisht punën në kampionatin anglez me skuadrën e Mançester Junajtid. Megjithatë, gjithçka do të varet nga arritjet e objektivave të Ferguson, i cili ka deklaruar edhe më parë se do të tërhiqet nga futbolli, pasi të ketë fituar Ligën e Kampioneve me "djajtë e kuq".