Aeroplani "Made in Albania", gati për ulje në Rinas
Ai është nuk është më i madh se "Airbus"-i, nuk është më i madh edhe se "Boing"-u, por ai është aeroplan "Made in Albania", i pari në llojin e vet dhe sapo ka nisur "uljen" pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Pas veprës së veçantë të një investitori shqiptar, i cili ka ndërtuar një godinë në formë trageti në rrethin e Lushnjës, "çmenduria" e radhës po ndërtohet në Tiranë. Një ndërtesë në formën e një avioni, me gjatësi rreth 20 metra dhe gjerësi rreth 8 metra. Investim i cili, sipas pronarëve, deri në fund të tij mund të arrijë në shifrën e 1.5 milionë eurove. Ai është në fazën më të rëndësishme të ndërtimit dhe mendohet të përfundojë nga mesi i muajit maj të këtij viti. Tashmë ka përfunduar karabinaja dhe objekti është duke u veshur me një lëndë speciale, e cila i jep pamjen e avionit.
Sapo kalon Vorën dhe i drejtohesh aeroportit "Nënë Tereza", andej nga tani quhet rruga e vjetër, kur të duhet edhe rreth një kilometër e gjysmë për të mbërritur tek aeroporti, ndërsa kalon një urë, të shfaqet përpara syve silueta e ndërtesës-avion. Nëse poshtë tij nuk do të ishin kolonat që mbajnë ndërtimin, zor se do të mund të dallohej se ajo është një ndërtesë dhe jo një avion i vërtetë. Godina ka tri kate, plus tarracën, e cila është projektuar për të qenë e shfrytëzueshme. Sipas investitorëve, lënda me të cilën është veshur ndërtesa dhe që i jep asaj pamjen e avionit, quhet alikobant dhe ka kushtuar rreth 70 mijë euro. Ndërtesa është projektuar nga një studio arkitekture shqiptare dhe ka nisur të ndërtohet në muajin maj të vitit të kaluar nga punëtorë shqiptarë. Ideja e investitorit është që "Avioni" të jetë një godinë shërbimesh, në të cilën do të ketë salla konferencash, bar-restorant dhe 21 dhoma hoteli. Nisur edhe nga pozicioni shumë i afërt me aeroportin e Rinasit, investitorët mendojnë se kjo gjetje do të jetë një mënyrë e mirë për të tërhequr klientët dhe veçanërisht të huajt që zbresin në tokën tonë.