Datëlindja e policisë shqiptare, 95 vjet përplasje dhe progres
Sot, Policia e Shtetit mbush 95 vjeçe. Me kalimin e viteve të moshës së policisë duket se ka ardhur edhe urtësia. Nga viti në vit, Policia e Shtetit u është afruar më shumë standardeve evropiane, duke sjellë kështu një kulturë ndryshe për të gjithë personelin e saj. Krijimi zyrtar i policisë shqiptare lidhet me shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1913. Por, në të vërtetë, policia duket se ka ekzistuar edhe më parë. Sipas burimeve historike, fillimet e policisë shqiptare i gjejmë nga fundi i shekullit XVIII dhe gjysma e parë e shekullit XIX. Gjatë kësaj periudhe, në Pashallëkun e Janinës dhe Bushatllinjve të Shkodrës, u krijuan për herë të parë policia dhe xhandarmëria. Në mënyrë të veçantë, në Pashallëkun e Janinës, Ali Pashë Tepelena, krijoi dhe organizoi një polici tepër të centralizuar e të fortë, si dhe disa lloje shërbimesh policore si policia e rendit, e porteve dhe e burgjeve.
Krijimi i policisë
Megjithatë, më 4 dhjetor 1912 u krijua zyrtarisht Ministria e Brendshme, e cila përgjigjej për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike. Për të përmbushur këtë detyrë, më 13 janar të vitit 1913, ajo krijoi një Fuqi Civile, një pjesë të së cilës i ngarkoi detyra në rolin e policisë për ruajtjen e ligjshmërisë dhe zbulimin e kriminelëve, ndërsa pjesën tjetër e angazhoi për krijimin e xhandarmërisë. Ndërkaq, gjatë Luftës së Parë Botërore, strukturat e policisë dhe xhandarmërisë kombëtare u copëtuan dhe u profilizuan sipas modeleve të forcave pushtuese. Madje, në krahinën autonome të Korçës u krijua prefektura e policisë dhe zyrat e policisë në qarqe.
1920-1938
Pas Kongresit të Lushnjës 1920-1924 pati organizime dhe zhvillime të reja në fushën e policisë. Në tetor 1920 u miratua organika e re e policisë së përgjithshme. Po në atë kohë, u krijuan për herë të parë stacionet e policisë dhe xhandarmërisë. Në vitin 1921, krijohet policia e pallatit në Parlament, ose policia e sigurimit të rezidencave qeveritare dhe personaliteteve të larta. Pas Revolucionit të Qershorit, Qeveria e Nolit mori disa masa për organizimin e policisë. Prej rënies së Fan Nolit, periudha 1925-1938 karakterizohet nga zhvillimi progresiv i policisë dhe xhandarmërisë. Futen elementë modernë perëndimorë në fushën e strukturave dhe legjislacionit të policisë dhe xhandarmërisë.
1938-1990
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, strukturat e policisë u asimiluan dhe u profilizuan sipas interesave të shteteve pushtuese. Gjatë dy pushtimeve, policia u integrua në strukturat ushtarake me emërtimin Trupa e Armatosur e Policisë. Në vitin 1943, në zonat e çliruara, u krijuan strukturat partizane për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Por pas Luftës së Dytë Botërore, organizimi dhe strukturimi i policisë është bërë sipas modeleve lindore. Më 14 maj 1945 u bë riorganizimi i strukturave ushtarake të ruajtjes së rendit dhe u krijua Policia Popullore. Gjatë viteve 1945-1990, kanë ndodhur disa ndryshime në fushën e organizimit dhe strukturimit të policisë. Policia ka kontribuar në mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe në mbrojtjen e jetës së individit dhe pasurive.
Demokracia
Duke filluar nga viti 1991, kanë ndodhur disa ndryshime të rëndësishme në fushën e organizimit dhe ristrukturimit të Policisë Shqiptare. Në vitin 1991, me krijimin e Ministrisë së Rendit Publik, policisë iu dha statusi i një institucioni më vete, ndryshe nga ç‘ishte më parë. Gjatë vitit 1992-‘96, në bazë të programit qeveritar, u zhvillua reforma në polici. Ky proces përfshiu fushën e ristrukturimit të policisë në të gjitha nivelet, rinovimin e personelit, zgjerimin e kuadrit ligjor dhe hapjen e saj me institucionet homologe të botës e organizatat ndërkombëtare. Gjatë trazirave të janar-mars 1997, u dogjën dhe u shkatërruan plotësisht 10 komisariate të policisë, ndërsa pjesa tjetër pësoi dëmtime të mëdha, u vodh mbi 80% e teknikës dhe automjeteve të policisë, si dhe u vranë e u plagosën me dhjetëra punonjës policie. Pas muajit qershor 1997, filloi puna për ringritjen dhe riorganizimin e policisë në të gjitha nivelet. Por deri më sot, që prej 95 vjetësh, në memorien e historisë së Policisë Shqiptare janë fiksuar mjaft punonjës policie, të cilët janë bërë simbol sakrifice e vetëmohimi në kryerjen e detyrës. Me aktet e tyre, policia ka të skalitur edhe disa emra heronjsh e dëshmorësh që sot prehen të qetë në Altarin e Trimërisë.