Shkolla e policisë, më pak rekrutime
Me implementimin e strukturës së re të policisë, një pjesë e mirë e funksioneve u shkurtuan dhe detyrimisht, shumë efektivë u nxorën në reformë. Tashmë, të gjithë funksionet e policisë janë plotësuar dhe nuk shihet e nevojshme prurja e kontingjentit të ri në polici
Ulet numri i pranimeve për rekrutët e rinj në polici. Shifra e lartë e efektivëve aktualë në Policinë e Shtetit ka bërë që drejtuesit e policisë të ulin numrin e pranimeve për në shkollën e policisë. Ky vendim do të ndiqet për gjithë vitin 2008, ndërkohë që shumë të rinj prisnin që në mars të këtij viti, të pranoheshin në shkollën e policisë. Burimet policore bënë të ditur se në bazë të projektit 3-vjeçar për shkollën e policisë, i gjithë personeli duhet të mbarojë shkollimin bazë të Patrullave të Përgjithshme. Nga ana tjetër, pranimet në polici nuk mund të bëhen më në shifra të larta, pasi nevojat e policisë janë për një numër më të vogël. Kjo taktikë do të përdoret nga policia, me qëllim që asnjë efektiv i policisë mos të mbetet pa punë për shkak të numrit, tashmë të reduktuar të funksioneve në Policinë e Shtetit. Sipas të dhënave, shumë të rinj prisnin muajin mars për të hyrë në shkollën e policisë, por kjo e fundit ka lajmëruar për uljen e numrit të rekrutimeve. Më parë, rekrutët e policisë kryenin Akademinë e Rendit, që ishte 3-vjeçare. Por, shtatorin e dy viteve më parë, Ministria e Brendshme deklaroi se kjo strukturë ka ndryshuar. Sipas të dhënave, ajo do të kthehej në shkollë policie, ose më konkretisht në një kurs 6-mujor që duhet ta kryente çdo efektiv i policisë shqiptare. Madje, vjet mbaroi studimet edhe brezi i fundit i oficerëve të policisë. Për krijimin e kësaj shkolle ndërhynë misionet e huaja ndërkombëtare, të cilat asistojnë pranë Ministrisë së Brendshme dhe nën kujdesin e tyre u përgatitën që nga leksionet e deri te hapja e vendeve të punës. Megjithatë, pas më shumë një viti funksionim, ajo ka ulur ndjeshëm rekrutimet për të rinj në polici. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, kjo është një ulje e përkohshme për rekrutimet, pasi funksionimi i saj vazhdon. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se zvogëlimi i rekrutimeve ndodh për shkak të reformave të marra gjatë dy viteve të fundit. "Me implementimin e strukturës së re të policisë, një pjesë e mirë e funksioneve u shkurtuan dhe detyrimisht, shumë efektivë u nxorën në reformë. Tashmë, të gjithë funksionet e policisë janë plotësuar dhe nuk shihet e nevojshme prurja e kontingjentit të ri në polici, pasi kjo do të sjellë papunësi të tyre. Nëse ata do të mbarojnë shkollën, shteti është i detyruar t‘u gjejë vende pune, por momentalisht nuk ka të tilla", kanë detajuar specialistët për këtë projekt të shkollës së policisë. Megjithatë, policia ka theksuar se gjatë kësaj kohe, shkolla e policisë do të vazhdojë të trajnojë edhe efektivin aktual të saj. Kështu, gjatë vitit 2007, policia ka deklaruar zyrtarisht se janë trajnuar 4200 punonjës policie, ose e thënë ndryshe, 43% e gjithë personelit. ‘Ndërkohë, në Akademinë e Policisë është nisur dhe po vazhdon me sukses shkollimi bazë i "Patrullave të Përgjithshme", ku brenda 3 viteve përfundon ky projekt me shkollimin e plotë të 6200 punonjësve të policisë", deklaroi pak ditë më parë kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Ndërsa specialistët tregojnë se në muajin mars nuk do të pranohen 100 rekrutë, siç ka ndodhur herët e tjera, por vetëm 50. Ky numër mund të ndryshojë edhe gjatë kurseve të tjera, në varësi edhe të trajnimeve të personelit aktual.