Policia prangos trafikantin, nën hetim 9 klandestinët
Policia e Fierit ka vënë në pranga një person për kalim të paligjshëm të kufirit. Policia e Fierit ka ndaluar rreth orës 01.00 të ditës së djeshme, 27-vjeçarin Nikolin Daci banues në Baz në Burrel. Së bashku me të, janë ndaluar dhe 9 shtetas të tjerë, të cilët për arsye hetimi nuk u janë publikuar emrat, por që më pas janë lënë të lirë.
Policia lokale ka ndaluar në afërsi të Ballshit një mjet tip furgon që lëvizte në drejtim të Tepelenës. Menjëherë mjeti është ndaluar nga policia, e cila kishte kohë që grumbullonte informacion dhe vëzhgonte veprimtarinë e një grupi trafikantësh klandestinësh. Është bërë kontrolli i dokumenteve dhe ka rezultuar se dyshimet e policisë fierake kanë qenë të sakta. Personat që kanë qenë në mjetin tip furgon kanë qenë të destinuar për t‘u trafikuar në mënyrë të paligjshme në drejtim të kufirit grek. Menjëherë është bërë ndalimi i këtyre shtetasve, të cilët janë kapur në flagrancë nga policia kriminale e Fierit, në segmentin rrugor Fier - Mallakastër. Arrestimi i 27-vjeçarit, i cili ndodhej brenda në mjetin me klandestinë, ka ardhur pas një pune intensive të bërë nga efektivët e sektorit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme në policinë e Fierit, të cilët kishin më shumë se 2 muaj që survejonin aktivitetin e një grupi trafikantësh klandestinësh. Nga burimet policore mësohet se bëhet fjalë jo vetëm për 27-vjeçarin që ka rënë në pranga, por dhe për shumë bashkëpunëtorë të tij që për arsye hetimi nuk bëhen publikë emrat deri në prangosjen e tyre, por që janë pjesë e këtij rrjeti. 9 shtetasit e tjerë që janë shoqëruar në policinë e Fierit mësohet të kenë qenë viktimat e këtij trafikimi, të cilët nëpërmjet një tarife nga 700 - 800 euro secili do të mund të kalonin kufirin grek. Aksioni i policisë fierake ka prerë në mes të rrugës këtë aktivitet. Policia nëpërmjet një komunikimi zyrtar ka deklaruar se ka qenë sektori i luftës kundër trafiqeve të paligjshme në policinë e Fierit, ai që kishte kohë që në rrugë operative ndiqte veprimtarinë kriminale të këtij grupi, të drejtuar nga Nikolin Daci. Ky i fundit ka rënë në prangat e policisë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij po ndiqen tashmë nga policia deri në momentin e prangosjes.