E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Jo zgjedhjeve pa karta identiteti

Krerët e partive të majta kanë zhvilluar dje një takim mes tyre, ku kanë përcaktuar axhendën e punës së këtij koalicioni për vitin 2006. Takimi ka zgjatur për gati dy orë dhe është diskutuar për reformën në sistemin e drejtësisë dhe për reformën zgjedhore ku palët kanë unifikuar qëndrimin e tyre. Pas takimit, krerët e partive opozitare nuk kanë dashur të flasin para mediave, duke ia lënë këtë përgjegjësi kryetarit të PAD-së, Ceka, i cili ka zbuluar vetëm disa nga detajet e bisedës së zhvilluar mes tyre. Ceka ka deklaruar se ky ka qenë një takim pas vitit të ri, ku është biseduar për dy çështje kryesore, ajo e reformës zgjedhore dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Natyrisht, është shprehur Ceka, ajo që është më urgjente është reforma zgjedhore, për të cilën ka pasur një afrim pikëpamjesh mes krerëve të partive opozitare, kryesisht për përcaktimin e sistemit dhe për detajet. Mësohet se është rënë dakord parimisht të pranohet sistemi gjerman për zgjedhjet dhe pragu të rritet te 3%. Kreu i Aleancës ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e opozitës se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 2009-ës nëse qeveria nuk i pajis shtetasit e saj me karta identiteti, duke realizuar kështu edhe një nga premtimet e bëra para 3 vjetësh. "Interesi ynë është që të krijohet një ambient i përshtatshëm për evitimin e manipulimeve që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me dokumente identiteti, ose me pasaportë dhe në mënyrë absolute do të përjashtohen dokumentet e tjera", është shprehur Ceka. Gjithashtu, ai ka theksuar se qeveria duhet të realizojë një premtim tjetër, atë të regjistrit themeltar të shtetasve, duke krijuar kështu lista zgjedhësish të sakta dhe të pakontestueshme. "Realizmi i këtij regjistri themeltar është një detyrim i kahershëm i qeverisë dhe jo vetëm i kësaj qeverie, por edhe i qeverisë së mëparshme", është shprehur kryetari i PAD-së. Gjithashtu, Ceka ka theksuar që komisioni për reformën zgjedhore, mundësisht brenda muajit shkurt, të ketë dhënë formulimet ligjore të reformës. Aktualisht komisionit për reformën zgjedhore i është shtyrë tri herë mandati i tij, pasi palëve u ka munguar vullneti për gjetjen e një gjuhe të përbashkët për realizimin e tij. Tashmë, këtij komisioni Kuvendi i ka lënë aftin e fundit deri në mars, për të rënë dakord për ndryshimet përfundimtare që do të bëhen në sistem. Ndërsa në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë, Ceka ka deklaruar se nuk është marrë një vendim përfundimtar për vetë faktin se realizmi i kësaj reformë nuk varet vetëm nga Parlamenti, por edhe nga institucionet e tjera, të cilat duhet të dëgjohen konkretisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›