Shteti, ky debitor i madh i KESH-it
Shteti, debitor te shteti për energjinë. Institucione dhe organe si sigurimet shoqërore, Qendra e Mobilizimit Ushtarak e shumë të tjera që apelojnë për korrektesë dhe ndëshkojnë për mosshlyerjen e detyrimeve, subjektet private dhe qytetarët renditen mes debitorëve. Kështu, ndërsa jepen leksione për korrektësinë qytetare në shlyerjen e detyrimeve ndaj KESH-it dhe institucioneve të tjera që ofrojnë shërbime, shumë prej buxhetorëve janë vetë debitorë. Mungesa e të ardhurave, tejkalimi i shpenzimeve apo dhe pretendimet ndaj faturave elektrike, i mbajnë buxhetorët larg shlyerjes së detyrimeve, ndonëse ka një urdhër të përbashkët ndërministror Ruli-Bode. Ky urdhër vë theksin te faturat e KESH-it, si të parat për shlyerje nga ndërmarrjet dhe institucionet buxhetore. Drejtori i zonës rajonale të shpërndarjes elektrike për Durrësin, Enjti Pazaj, thotë se ndër debitorët buxhetorë janë Bashkia e Durrësit, Drejtoria Rajonale Arsimore, Instituti i Kërkimit të Peshkut, 8 qendrat shëndetësore (nr. 1-8), sigurimet shoqërore, Ndërmarrja Komunale e Plazhit, Qendra e Mobilizimit, disa reparte ushtarake, Komanda e Marinës, Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, rajoni hekurudhor Durrës, Shtëpia e Foshnjës dhe shumë të tjera. Shifrat e borxhit të tyre variojnë, po në total borxhi është i konsiderueshëm. Ndaj debitorëve janë dhënë paralajmërime dhe deri në prerjen e plotë të energjisë, po për të mos bllokuar aktivitetin e buxhetorëve dhe bazuar në pretendimet e tyre energjia u është rikthyer. Në krye të listës është bashkia e qytetit-port, e cila nuk ka shlyer një shumë prej 1.8 milionë lekësh të reja, duke pasur pretendime për faturimin aforfe të energjisë që konsumohet për ndriçimin e rrugëve. Në disa segmente rrugore nuk ka matës. Pushteti vendor ka kërkuar të mos faturohet arbitrarisht, por të vendosen matësit elektrikë nga filiali i KESH-it, po ky i fundit nuk lëshon rrugë. "Në këto raste, matësi duhet blerë nga konsumatorët", shprehet burimi. Matësit elektrikë trefazorë variojnë nga 8-13 mijë lekë, ndërsa ata monofazë kushtojnë vetëm 2 mijë lekë. Ndërkaq, qendrat shëndetësore kanë një borxh secila prej 30 mijë lekësh, reparti ushtarak 2001 ka mbi 70 mijë lekë të reja dhe lista vazhdon gjatë me debitorë dhe shifrat përkatëse. Mes tyre është edhe porti detar, i cili pritet që të dalë nga kjo listë pasi ka nisur t‘i shlyejë faturat. Mes debitorëve është edhe Prokuroria e Durrësit, po pretendimin e saj ndaj vlerës së faturave ky organ e ka çuar në dyert e gjykatës, çka e përjashton nga lista deri në një vendim të togave të zeza. Pavarësisht debitorëve, drejtori Pazaj shprehet optimist për nivelin e arkëtimeve dhe të humbjeve në rrjet. Muaji dhjetor i vitit të sapombyllur ka shënuar shifra pozitive, në krahasim me atë të një viti më parë. "Kemi një nivel shumë të mirë të humbjeve. Në rast se në dhjetor të 2006-ës niveli i tyre ishte 47 për qind, këtë dhjetor ai zbriti në 35.4, ndërkohë që energjia e blerë është 4 milionë kw/h më shumë." Aksionet e ndërmarra dhe sensibilizimi nëpërmjet medias vlerësohen nga kreu i KESH-it për Durrësin, Krujën e Kavajën si mjaft rezultative. Niveli i humbjeve në dy zonat më problematike, Spitallë dhe ish-Kënetë, është përmirësuar, ndërsa niveli i arkëtimeve në të gjithë zonën e shpërndarjes është në masën 74 për qind. Megjithatë, zonat problematike në Durrës, Krujë dhe Kavajë mbeten ish-Këneta, zona e NISH-Tullës në Shkozet, fshati Rinia, Katund i Ri, Ishëm, Manzë, Malësia Krujë, Borizana, Thumana, Bubqi, Nikla, Golemi dhe qyteti i Kavajës. Në këto zona, niveli i arkëtimeve është 50-60 për qind.
Viti i ri, me oraret
e vjetër të energjisë
Që nga data 4 janar e këtij viti, në zonën e plazhit ka pasur kufizime të theksuara të energjisë elektrike gjatë orëve të paradites dhe një orë pasdite. Banorët e përhershëm të kësaj zone të qytetit bregdetar ankohen për kufizimet e stërzgjatura të energjisë, ndërsa drejtori i zonës së shpërndarjes, Enjti Pazaj, sqaron për gazetën se nuk bëhet fjalë për një grafik kufizimesh. "Nuk ka asnjë porosi apo urdhër për të nisur kufizimet", thotë ai. Madje, mohohet ndërprerja për orë të tëra, ndërkohë që banorët shprehen për mungesa katërorëshe dhe në ndonjë rast edhe më shumë. Sipas banorëve të plazhit, në sektorin Iliria të tij energjia elektrike është ndërprerë që nga ora 09.30 e mëngjesit deri në orën 13.00 dhe pasdite në orarin 18.00-19.00. Ditën e hënë, energjia ka munguar gjatë të gjithë paradites, deri në orën 16.00, ndërsa dje nuk ka pasur kufizime. Mungesën e energjisë në plazh, por edhe lagje të tjera të qytetit të Durrësit, e argumentojnë me punimet në rrjet për shkak të mbingarkesës dhe defekteve.