E Diel, 1 Nëntor 2026

Policimi në komunitet, sfida e kohës

Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit ka zgjidhur pikërisht ditën e 95-vjetorit të krijimit të strukturës së Policisë së Shtetit për të bërë një hap në afrimin e vet me komunitetin. Një grup nxënësish, senatorë në shkollat 9-vjeçare, disa eksponentë të shoqërisë civile dhe ndonjë veteran i uniformës blu kanë qenë mysafirët e manifestimit të 95-vjetorit të policisë. Dikur njerëzit e kishin frikë policinë. Në dekadat e diktaturës komuniste ajo ishte armë në shërbim të partisë-shtet, ndërsa sot në demokracinë pluraliste synohet afrimi i policisë me komunitetin, pasi kjo strukturë shihet tashmë si një aleat i publikut që i siguron funksionimin normal të çdo aktiviteti dhe mbrojtjen e të drejtave në planin ekonomik dhe në çdo fushë të veprimtarisë. Drejtori i Policisë së Qarkut Kukës, Muharrem Furriku, tha se policia, gjatë rreth një shekulli funksionim, që nga krijimi në janar të vitit 1913, ka kaluar përmes transformimesh dhe reformash. "Për ne sot është jetike afrimi me komunitetin e Kukësit në mënyrë që të kemi rezultate", tha ai. Nxënësit u treguan të ndjeshëm për rolin që ka policia në jetën e përditshme urbane, por edhe ata vetë duke mos qëndruar indiferentë ndaj çdo shkeljeje të rregullit, që vihet re dhe që cenon qetësinë dhe rendin. Por, nga një sondazh i ushtruar muaj më parë në Kukës ka dalë që asnjë fëmijë nuk ka përdorur numrat e telefonit që policia ka në dispozicion të publikut, ndaj krerët e policisë e shohin si të domosdoshëm afrimin me të gjitha moshat dhe të gjitha shtresat e njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›