Shkodra shndërrohet në kantier, rikonstruktohen të gjitha rrugët
Pas 17 vitesh që nga koha e përmbysjes së regjimit komunist, Shkodra po njeh për herë të parë investime serioze në infrastrukturë. Pas asfaltimit të rrugëve kryesore, viti 2008 ka nisur me rikonstruksionin e të gjitha rrugëve dytësore të qytetit. Kështu, në fazën e parë kanë nisur punimet në 10 rrugët dytësore të Shkodrës, të cilat janë më problematiket. Janë plot 350 milionë lekë, që do bëjnë të mundur ndryshimin e pamjes së këtyre rrugëve, ndërsa në periferinë e qytetit është duke u punuar për unazën, ku janë dhënë rreth 5 milionë euro investim nga qeveria shqiptare. Ndërhyrjet në rrugët dytësore, sipas specialistëve të bashkisë, do të bëhen që nga kanalizimet, gërryerja e tokës, trotuaret, gjelbërimi dhe ndriçimi. Në të njëjtën kohë, në mjediset e lagjeve ka nisur edhe zbatimi i projekteve të gjelbërimit dhe ndriçimit me lulishte e kënde lojërash. Punimet që po bëhen aktualisht në Shkodër të ngjasojnë me kryeqytetin para pesë vitesh, kur filloi të ndërhyhej në lagjet e brendshme të Tiranës. Në lidhje me këto investime, kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, shprehet se "këto investime po kryhen nga fondet e bashkisë e të qeverisë dhe kjo e fundit ka një rol tepër të rëndësishëm, me fondet që ka akorduar për Shkodrën. Çdokush që ka hyrë në Shkodër ka parë ndryshimin me rrugë të asfaltuara me ndriçim, me trotuare dhe gjelbërim. Kjo është ajo që i kemi premtuar Shkodrës, për ta ndërtuar e për t‘i rikthyer traditën ashtu siç i takon". Kryebashkiaku shton se ky është vetëm fillimi, pasi po punohet për të bërë periferinë ashtu siç është bërë qendra dhe se shumë lagje në periferi kanë marrë tashmë tjetër pamje. "Në këtë kontekst, Bashkia Shkodër ka edhe mjaft projekte të tjera bashkëkohore për qytetin, të cilat kanë gjetur financim dhe brenda pak kohësh Shkodra do të jetë qyteti më i kompletuar në veri të Shqipërisë", thotë Luka. Ndërkohë, Bashkia e Shkodrës, për të ndjekur hap pas hapi ecurinë e punimeve, krahas supervizorëve, ka ngritur disa grupe me specialistë të administratës, të cilët kontrollojnë hap pas hapi ecurinë e punimeve në këto akse. Në rrugët ku po kryhen punime ka mbi 20 vite që nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Për këtë arsye, punët në këto akse po bëhen nga e para, duke ndërhyrë edhe në kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza.