E Diel, 1 Nëntor 2026

Agolli: Gabimet e politikës sonë

Bisedat me të i bën gjithnjë aty, ulur në kolltukun bri tavolinës së rrumbullakët e të drunjtë, nga ku teksa ai flet ti mund të shohësh atë sallon të mbushur me piktura. Portreti i tij nuk ka ndryshuar shumë në vite. Një kostum elegant dhe cigarja gjithnjë në duar. Në këto ditë disi të ftohta shkurti, një nga bisedat që është konsumuar aq shumë në këtë tavolinë është Kosova. Ndërsa biseda nis me librin e tij botuar gati një vit më parë, "Zhurmat e erërave të dikurshme", ku ka një mori tregimesh të shkruara gjatë viteve ‘60-të, fytyra e shkrimtarit nuk e fsheh atë tis gëzimi teksa kujton atë çfarë ndodhi vetëm katër ditë më parë me Kosovën. Në këtë apartament që dikur ka qenë disi më i thjeshtë ka pritur dhe përcjellë dhjetëra intelektualë nga ana tjetër e kufirit. Në këtë tryezë ka kthyer ndonjë gotë dhe kanë folur për ëndrrat që kanë mbartur me vite të parët e tyre me Azem Shkelin dhe Ali Podrimën, dy nga poetët më të njohur të Kosovës. "Kanë fjetur një javë në shtëpinë tonë", thotë Sadija, gruaja e shkrimtarit, që ashtu si ai, nuk e fsheh dot lumturinë e lajmit për Kosovën e pavarur.

Për Kosovën në familjen Agolli mund të dëgjosh dhjetëra histori. Ky çift bashkëshortësh flet me dashuri për çdo lajm që vjen nga ana tjetër e kufirit. "Kam pasur frikë se mos vdes pa e parë Kosovën e lirë", thotë Agolli.

Në një intervistë më poshtë, një nga personazhet më të njohur të letërsisë shqipe bën një vështrim mbi situatën politike në vend dhe për Kosovën...

Si e vlerësoni klimën e fundit politike në vend në prag të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për në NATO? Ku për hir të kësaj ftese edhe forcat politike në vend kanë gjetur një frymë konsensusi?

Mendoj se ky afrim mes forcave politike në vend vjen si rrjedhojë edhe i politikës ndërkombëtare. Shumë vërejtje ka pasur nga ndërkombëtarët për acarimet e shpeshta të klimës politike në Shqipëri. Por jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe vetë populli, qoftë edhe nga ajo çfarë përcjellin mediat, është tepër i acaruar kur shikon që politika që e drejton është shndërruar në një bajonetë. Prandaj, duke parë këtë mënyrë sesi funksiononte politika dhe presionet ndërkombëtare, palët janë zbutur disi dhe kemi një politikë më logjike, ndryshe nga çka qenë, më emotive.

Politika e partive tona ka qenë gjithnjë e udhëhequr nga një frymë emotive. Por zbutja e toneve vjen dhe nga fakti se integrimi në NATO është një çështje e madhe kombëtare dhe i përket gjithë vendit e jo një partie a dy. Futja e vendit në Bashkimin Evropian, apo në NATO, nuk mund të jetë pronë e një partie apo e një tjetër force politike, por një interes i madh për të gjithë vendit, çka do ta bënte më të lehtë integrimin shoqëror e politik të Shqipërisë. Por ky afrim mes dy forcave të mëdha politike ka sjellë në një farë mënyre dhe një dëshpërim në partitë e vogla. Këto të fundit mendojnë se mes tyre mund të ketë ndonjë kompromis dhe i ngacmojnë duke menduar se ky është një rezultat kundër tyre. Kjo gjë shihet edhe tani, ku është duke u diskutuar ligji për reformën zgjedhore, apo sa duhet të jetë pragu zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këto diskutime kanë nxjerrë në pah mendime të ndryshme nga këto parti, ku ato më të voglat janë në një gjendje të trembur se mos rritet shumë pragu dhe doemos kjo e ashpërson pak dhe klimën politike në vend. Por mendoj se është diçka shumë pozitive zbutja e klimës politike, pasi krijon një urë komunikimi që e bën më të lehtë gjendjen. Megjithatë duhet ta pranojmë se ne jemi njerëz që rrëmbehemi shumë. Mjafton të shohësh seancat në Parlamentin tonë, ku ata që janë aty dhe që duhet të luajnë një rol të madh në zhvillimin e shoqërisë flasin sikur të jenë fëmijë. Kjo është një klimë jashtë zbutjes.

Le të flasim pak për Kuvendin, ku ashtu siç ju u shprehët, është kthyer në një arenë batutash. Sipas jush, cili duhet të jetë roli i këtij institucioni?

Kuvendi në të gjitha vendet duhet të jetë një shkollë për ata që e dëgjojnë. Ata që përfaqësojnë popullin aty duhet të japin shembullin e më të mirëve, që të tjerët kur t‘i dëgjojnë t‘u heqin kapelën, apo të përcjellin ndershmëri e kulturë.

Edhe nxehjet mes palëve që provokojnë batuta duhet të jenë më të bukura ose më të gjetura. Kritikat duhet të jenë të gjetura, të mbartin dhe kapacitetin e atyre që i bëjnë ato. Mund t‘u jap dy shembuj sesi mund të kalohen me zgjuarsi situata që provokojnë acarime gati-gati banale, siç ndodh në Kuvendin tonë.

Një nga kryeministrat e Anglisë, nuk më kujtohet emri (por kjo ngjarje është diku nga vitet ‘30-të), rridhte nga një familje e varfër. I ati i tij kishte qenë karrocier dhe me gomar e kishte pasur karrocën. Dhe në Parlament, për ta kritikuar u ngrit njëri dhe i tha : "Ku e ke atë karrocën"? Dhe Kryeministri me elegancë iu përgjigj: "Nuk e di ku është ajo karroca ime, por gomerët këtu janë".

Ja me kaq mund të jetë një përgjigje e thjeshtë për të eliminuar shprehjet e tepërta që nuk duhet të jenë në fjalorin e njerëzve që duhet të përcjellin kulturë.

Në një mbledhje ndërkombëtare, një ministër i Jashtëm i Luksemburgut sulmoi një shtet të madh të asaj periudhe. Dhe u ngrit përfaqësuesi i këtij shteti të madh pasi e dëgjoi dhe tha: "More çfarë t‘i bëj këtij Luksemburgut, se ky do të na dërrmojë fare, se me Amerikën e gjejmë një gjuhë, por ky është fare i tmerrshëm". Kaq qe përgjigjja e tij. Domethënë duhet të ketë mënyra sesi të shprehet edhe humori, por edhe vënia përpara për ta bërë tjetrin qesharak, por jo me replika tepër banale...

Si e shihni pozicionin që e majta shqiptare po mban në kushtet e opozitës? A është duke bërë opozitën e duhur?

Mendoj se e majta po bën opozitën e duhur dhe po e bën shumë mirë. Me iniciativat e saj të fundit ajo po i tregon mazhorancës sesi duhet të lidhet me popullin. E majta është duke hyrë thellë te njerëzit dhe po bisedon me ta, po qan hallet me këta njerëz, duke njohur më mirë problemet e tyre. Filozofia e së majtës është të mos qëndrojnë brenda mureve të zyrës, por të shkojnë nëpër rrethe e fshatra dhe të shohin gjendjen në të cilën jetojnë njerëzit. Këtë gjë opozita ia thotë edhe ministrave, të mos rrinë në zyra, por të shohin se çfarë ndodh në popull. Për këtë gjë e majta po bën një punë të madhe. Dhe vetë argumentet që nxjerr janë të besueshme. Nuk thotë argumente thjesht propagandistike, por me fakte të caktuara, tepër reale dhe jo të trilluara.

Me kritikat që bëjnë ata, janë të vërtetë. Ndoshta ndonjëherë opozita ngre dhe zërin më tepër seç duhet, por kjo është detyra e saj. Kështu, nga kjo anë, mendoj se opozita është duke bërë një përpjekje dhe një luftë të drejtë për ecjen e Shqipërisë përpara.

Duke iu referuar dhe kreut të opozitës, ai thotë se kjo përpjekje e tyre për të thënë të vërtetën nuk është vetëm për ta, por për të gjithë njerëzit, pavarësisht se kush do t‘i fitojë këto zgjedhje. Ajo çfarë është e rëndësishme dhe që shihet është se kjo gjendje e vështirë ekonomike, varfëria që ekziston kudo, duhet të ndryshojë. Duhet të mendohet dhe të gjenden rrugët që populli të ecë përpara. Duket sikur e gjithë vëmendja jonë është përqendruar tek integrimi i vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Nuk them se aderimi në këto dy organizata të rëndësishme nuk është i rëndësishëm për një vend si Shqipëria, por ajo çfarë duhet të bëjmë para se të kërkojmë të jemi pjesë e tyre është të ngremë mirëqenien tonë. Duhet të rritet niveli i mirëqenies ekonomike, të gjenden mënyra për të zbutur varfërinë, e cila është kthyer në një problem për qytetarët. Sigurisht që është diçka e madhe që vendi të hyjë në NATO, por nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Çfarë vlere do të kishte të ishe pjesë e NATO-s dhe vendi të vazhdonte të ishte i varfër?

Si e keni pritur afrimin e fundit mes kreut të opozitës, Edi Rama, dhe Kryeministrit Sali Berisha?

Nuk mendoj se është një miqësi përqafimesh për gjëra se "çfarë thua ti zoti Zryeministër, do t‘i bëjmë ne". Mendoj se është një afrim për të gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë që po jeton vendi. Edhe në kohë lufte shtetet kanë dërguar misionarët e tyre për të bërë paqe, për të gjetur një zgjedhje. Pastaj shqiptarë jemi dhe duhet të komunikojmë. Nëse nuk do të kishte komunikim mes opozitës dhe mazhorancës, atëherë nuk do të kishte opozitë. Opozita në një farë mënyre është redaktorja e mazhorancës. Ashtu siç mund të jem unë redaktor i një libri, ku duke e redaktuar unë bëj oponencë. Ky duhet të jetë dhe roli i opozitës. Pasi deri tani kanë qenë majë për majë, bajonetë për bajonetë. Por duhet të zbutet klima politike, në mënyrë që njerëzit të gjejnë një rrugëdalje. Si mund të dalim nga kjo varfëri pa komunikim? Nuk e di sa për qind e njerëzve vazhdojnë të jenë të papunë. Gjithë ato premtime që janë dhënë se do të bëjmë punësime dhe ende asgjë. E gjithë kjo krizë që po jeton shoqëria, siç janë edhe vetëvrasjet që po ndodhin kohët e fundit, janë një tregues i gjendjes së keqe sociale, i varfërisë, i tensioneve të ndryshme. E gjithë kjo gjendje e zymtë vepron në psikologjinë e njerëzve.

Mazhoranca dhe opozita janë enë komunikuese, nuk mund të jenë kazanë të veçuar. Ndryshe, pse janë në Parlament bashkë. Atëherë duhet të kishte dy parlamente, një për opozitën dhe një për mazhorancën.

Më pak se një vit na ndan nga zgjedhjet parlamentare. Cila mendoni se duhet të jetë strategjia e opozitës në këto zgjedhje? Mendoni se opozita duhet të jetë bashkë në këto zgjedhje?

Në qoftë se bëhet me proporcional, bashkë do të hyjë pasi të bëhen zgjedhjet. Me proporcional nuk do të ketë se unë të jap ty një sasi të proporcionalitetit. Aleancat do të vijnë pas zgjedhjeve.

Ajo çfarë opozita mund të bëjë në këto zgjedhje është të bëhet më kërkuese, më e ashpër. Të ketë më shumë argumente, fakte. Mendoj se dhe kjo fushatë që po bën tashmë PS nëpër rrethe është një test parazgjedhor që do t‘i vlejë në zgjedhje. Pasi po shkon aty ku janë me të vërtetë problemet, po shkon krahinë më krahinë, fshat më fshat, dhe nga këto udhëtime po përfton një njohje të thellë të realiteti ku është vendi. Dhe ky realitet duhet të vihet përballë mazhorancës, kundërshtarit të saj politik në kohë zgjedhjesh.

Si e shihni tërheqjen nga skena politike të ish-kryeministrit Fatos Nano dhe lëvizjet e tij për t‘u rikthyer sërish?

Fatos Nano ka një gabim, pasi po përdor të njëjtat metoda që ka përdorur dikur. Ka dhënë njëherë dorëheqjen dhe pastaj ka lëvizur për të qenë sërish në krye. Këtë gjë e ka përdorur nja dy herë. Kështu, në fillim të viteve 2000, apo në fund të viteve ‘90-të kur dha dorëheqjen si Kryeministër dhe si kryetar partie.

Dhe pastaj pas një viti erdhi sërish në krye. Po kështu edhe tani. Po përdor të njëjtën metodë veprimi në një luftë politike.

Mund t‘ju sjell shembuj. Napolon Bonaparti pse humbi në Rusi? Humbi se përdori të njëjtën mënyrë lufte që përdori në Evropë.

Kanë gabuar në metodë burra shteti të mëdhenj, jo burra të vegjël siç jemi ne. Ose Çurçilli përdori po atë mënyrë të luftës kur erdhi paqja dhe dështoi. Apo De Goli... Po të përdorësh të njëjtën mënyrë për të fituar, meqë ke fituar njëherë me këtë mënyrë, atëherë dështon. Fatosi është burrë i mençur, por këtë ndoshta e ka harruar nga historia, që të njëjtën gjë s‘mund ta bësh dy herë. Se ti jep dorëheqjen dhe kujtohesh pastaj që do ta marrësh sërish atë çfarë ke humbur. Duhet të presësh një kohë të gjatë që ta marrësh e jo menjëherë. Kjo kuptohet se është një luftë për pushtet.

Si do ta vlerësonit punën e Kryeministrit Sali Berisha?

Berisha është këmbëngulës e punëtor i madh, kjo s‘mund të mohohet. Është dhe këmbëngulës në një drejtim. Te këmbëngulja gabon. Se këmbëngul dhe në gjëra ku s‘duhet të këmbëngulë. Problemi është se ata përreth duhet t‘i ketë të zotit. Makiaveli thotë një mendim të mençur. Thotë ka tre lloje udhëheqësish. Është vetë i zoti dhe ka dhe të tjerët të zotët. Dhe kjo është e para, idealja. Ka udhëheqës që nuk janë shumë të zotë vetë, por kanë të tjerët shumë të zotë. Dhe kjo është sërish mirë. Por ka dhe udhëheqës që pyka janë vetë dhe pyka kanë dhe të tjerët.

Tashti s‘di ku t‘i fusim këta tanët.

Vetëm disa ditë më parë shqiptarët jetuan një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e tyre, pavarësinë e Kosovës. Si do ta vlerësonit këtë ditë?

Është një ngjarje shumë e madhe, pasi për këtë moment kanë luftuar shumë breza të Shqipërisë. Vetëm në 100-vjeçarin që shkoi numërohen gjithë ato sakrifica, gjithë ato mundime e tortura, gjithë ato heroizma. Janë shkruar aq shumë libra e shkrime për çështjen e Kosovës, sa mund të mbulohej gjithë Evropa me ato ç‘janë shkruar. Gjithë territori i Evropës mund të mbushej me fjalë nëse do t‘i mblidhnim. Dhe ia arritëm kësaj dite në sajë të luftës së vetë popullit shqiptar të Kosovës, të përpjekjeve diplomatike të gjata, por edhe të vetë luftës me armë që u bë, lufta e madhe e UÇK-së. Dhe më në fund arriti që Kosova të fitojë pavarësinë dhe të bëhet një shtet tjetër. Tashmë kemi një Shqipëri me dy shtete.

Në këtë moment të madh për shqiptarët, në këtë moment kur mund ta shohim Kosovën si një shtet të pavarur, moment që e kemi dashur të gjithë, nuk mund të rrimë pa kujtuar ata mijëra njerëz, luftëtarë, njerëz të letërsisë, që vdiqën pa e parë këtë ditë. Janë shumë njerëz që mund të kujtohen si nga ky krah, ashtu edhe nga ai krah. Para dy-tre vitesh vdiq Azem Shkreli, i cili ishte një luftëtar i ndjeshëm i kësaj lufte për përparimin e Kosovës dhe zgjedhjen e çështjes shqiptare. Por kanë vdekur dhe të tjerë nga krahu jonë. Dhe unë kam pasur frikë se mos vdes pa e parë Kosovën e lirë. Për ata që jetojnë dhe e prekën këtë ëndërr kjo është një lumturi e madhe, e papërshkrueshme. Pasi ne mundëm të shohim pragun e zgjedhjes përfundimtare të çështjes shqiptare kombëtare, pasi s‘është zgjedhur akoma përfundimisht, por do të zgjidhet. Me pavarësinë e Kosovës, Evropa bëri një autokritikë ndaj vetes, kërkoi ndjesë për gjyshërit dhe stërgjyshërit e saj, pasi ata e çuan Kosovën drejt Serbisë.

Ky moment është një gëzim për të gjithë ne. Kanë luftuar për këtë ditë jo vetëm luftëtarët e UÇK-së, që nga Adem Jashari dhe dhjetëra njerëz të familjes së tij që u vranë për këtë ideal, por dhe këta që janë ende gjallë, që mund të binin dëshmorë, siç është dhe Kryeministri i tanishëm, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, ish-kryeministrat Ramush Harajdinaj dhe Agim Çeku etj.

Por nuk mund të harrohet dhe përpjekja paqësore që ka bërë Ibrahim Rugova, një nga themeluesit e Kuvendit të Kosovës, apo një nga luftëtarët e mëdhenj të çështjes shqiptare, siç është Rexhep Qosja, i cili është ende gjallë. Është një nga njerëzit që ka shkruar me mijëra faqe për Kosovën, është ndeshur me historianë, politikanë, filozofë serbë. Por ndonjëherë ne i harrojmë këto kontribute e nxehemi. Më vjen keq që disa nga ne nga kjo anë, por edhe nga ana tjetër e kufirit, kanë mprehur stilografin duke e sulmuar dhe duke thënë dhe të pavërteta. Ai është një luftëtar i madh i kësaj çështjeje dhe kjo nuk mund të mohohet. Por ka dhe autorë të tjerë nga ana jonë, si Kristo Frashëri, që ka shkruar dhjetëra për çështjen shqiptare.

Pavarësia e Kosovës tregon atë që e kanë thënë të gjithë, një padrejtësi historike që është bërë më 1913, e cila po zgjidhet ngadalë me kontributin e madh edhe të Shqipërisë. Po të mos ishte dhe Shqipëria, Kosova do të mbetej një krahinë e vogël e Serbisë. Vetë ekzistenca jonë këtej e ngriti dhe atë krah. Ashtu, nëse i referohemi historisë, nëse nuk do të ishin luftëtarët e Kosovës, nuk do të ngrihej flamuri ynë më 1912-ën.

Nuk mund të harrohet dhe ndihma e madhe që ka dhënë për finalizimin e këtij procesi edhe Amerika, bashkë me aleatët e saj të Evropës dhe vendeve të tjera të botës. Edhe presidentët e hershëm të SHBA-së e kanë ndihmuar Shqipërinë, edhe të sotmi e kanë ndjekur atë traditë, si Klinton apo Bush.

Dikur gjyshërit tanë këndonin atë këngën, "Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë". Dhe im atë ka qenë në Amerikë dhe ka punuar atje rreth 20 vjet. Dua të them se gjithë shqiptarët kanë qenë të lidhur me Amerikën këtej dhe andej kufirit. Edhe në luftën nacional-çlirimtare ne kemi qenë në koalicionin antifashist anglo-amerikan.

Si e shihni të ardhmen e këtyre dy shteteve në rajon?

Me pavarësinë e Kosovës klima e rajonit do të zbutet, pasi nuk do të ketë më luftëra. Nuk do të jetë më ajo lëvizje e vazhdueshme e Serbisë, e cila gjithnjë do të ngacmonte, gjithnjë do të ngriheshin të shtypurit ndaj saj. Kjo nuk do të ekzistojë më. Do të ketë një zbutje të kësaj klime që ka munguar dhe kjo është diçka pozitive. Shqipëria, por edhe Kosova, do të jetojnë një mirëqenie të madhe. Kjo pasi të dyja këto vende shqiptare kanë resurse të mëdha tokësore dhe nëntokësore. Dhe të gjitha këto do të shfrytëzohen më lirshëm nga të dyja anët e kufirit, në mënyrë që të rritet mirëqenia e qytetarëve të tyre. I shoh tashmë këto dy shtete shqiptare si dy trupa me një zemër dhe ky është një parahap i parafundit i zgjedhjes së çështjes shqiptare, i asaj çështjeje për të cilën kanë ëndërruar breza të tërë. Unë mendoj se në të ardhme do të jetë një shtet e jo dy shtete.

Cila do të ishte këshilla juaj për njerëzit që drejtojnë politikën e shtetit më të ri në rajon?

Unë mendoj që drejtuesit e Kosovës duhet t‘i studiojnë mirë drejtuesit e Shqipërisë. Psikologjinë, mënyrën se si drejtojnë, taktikat që kanë përdorur, të mirat dhe të këqijat që ka pasur ky vend. Veçanërisht duhet të mësojnë nga të këqijat, në mënyrë që të mos përsërisin të njëjtat gabime që janë bërë në politikën tonë këto vite.

Në numrin e nesërm do të lexoni

Në pjesën e dytë të intervistës, Shkrimtari i njohur flet për historinë e librit me tregime, "Zhurmat e erërave të dikurshme", i shkruar në vitet ‘60-të dhe i kritikuar jo pak. Ǒmendon për letërsinë e shkruar gjatë komunizmit dhe si e përjetoi rënien e sistemeve në letërsinë e tij...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›