Kërcënime me vdekje për Avram Grant
Trajneri i Çelsit, Avram Grant, është bërë objektivi i disa kërcënimeve për vdekje dhe parullave anti-semitiste, të cilat i janë dërguar atij në një zarf të dyshimtë ku kishte edhe një pluhur të paidentifikuar. Policia ka izoluar qendrën stërvitore të Çelsit në Surrei, pasi një anëtar i stafit teknik të londinezëve hapi zarfin misterioz gjatë ditës së martë. Në letrën që i drejtohej personalisht trajnerit Grant, shkruhej se pluhuri në zarf ishte vdekjeprurës.
Burimet policore bënë të ditura për mediat angleze se letra që i drejtohej trajnerit izraelit të Çelsit përmbante kërcënime të rënda. "T‘i je një k... çifute tradhtare. Kur të hapësh këtë letër, do të kesh një vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme", ishte shënimi që u gjet në këtë zarf të mbërritur në adresën e klubit. Në të njëjtën kohë, disa kërcënime me vdekje të natyrës seksuale iu bënë edhe gruas së Grant, Tzofi, një personazhi televiziv të njohur në vendlindjen e çiftit, Izrael. Zëdhënësit për shtyp të policisë në Surrei shpjeguan se çfarë kishte ndodhur gjatë ditës së martë në këtë rast të paprecedent në futbollin anglez. "Ne u mbërritëm në qendrën stërvitore të Çelsit në Surrei në orën 12:15 të ditës së martë, pasi ata morën një paketë të dyshimtë. Një pluhur i bardhë që gjendej në zarf u analizua nga specialistët e departamentit të policisë në Surrei dhe rezultoi që nuk ishte një substancë e dëmshme. Dedektivët po vazhdojnë hetimet për të identifikuar burimin e kësaj letre me kërcënime", u shprehën burimet zyrtare të policisë londineze. Gjatë kohës që kjo gjë ndodhte në Londër, trajneri Grant ishte në Greqi, ku skuadra e Çelsit luajti përballë Olimpiakosit sfidën e Ligës së Kampioneve. Gjithsesi, drejtuesit e Çelsit kanë kërkuar më shumë mbrojtje nga policia për trajnerin e tyre, i cili për herë të parë është bërë objekti i kërcënimeve anti-semitiste.
Mendohet që zarfi të jetë dërguar nga tifozë të një skuadre rivale të Çelsit, pasi aktualisht tifozeria e bluve është shumë e kënaqur me mënyrën se si po drejtohet skuadra, ndonëse Grant ka zëvendësuar "të preferuarin" Murinjo. Por shqetësimi më i madh në Angli është për natyrën "etnike" të kërcënimeve, në një vend ku lufta kundër racizmit është kthyer në çështjen kryesore prej shumë vitesh.