Pavarësia e Kosovës përfshihet në tekstet e shkollave
"Kosova është shteti më i ri i Evropës. Pavarësia e të cilit u shpall më 17 shkurt 2008. Fuqitë e mëdha mbështetën krijimin e tij më 2008-ën". Kështu do ta mësojnë historinë e shtetit fqinj shqiptar nxënësit e arsimit 9-vjeçar në Shqipëri. Ministria e Arsimit ka vendosur dje, që ngjarja e madhe e vitit, ajo e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të përfshihet në tekstet shkollore. Në një njoftim për shtyp, MASH-i bëri të ditur se "shpallja e Republikës se Kosovës si shtet sovran e i pavarur do të pasqyrohet në librat shkollorë në vendin tonë sipas një urdhri të posaçëm të MASH".
E pyetur për këtë vendim, historiania Valentina Duka u shpreh se "në tekstin "Historia 9" në kapitullin për Kosovën do të shkruhet edhe kjo ngjarje". Sipas saj, ngjarja e këtij viti do të jetë vetëm një paragraf në gjithë kapitullin. "Është ngjarja përmbyllëse e historisë së popullit shqiptar për periudhën 1912 e deri në ditët e sotme", tha Duka, duke shtuar se "është totalisht e mundur të bëhet kjo ndërhyrje tashmë që po hartohet libri i ri i historisë me titull "Historia e Popullit Shqiptar" për klasën e 9-të. Siç e dimë sistemi arsimor i detyruar 8-vjeçar është kthyer në 9-vjeçar dhe këtë vit zbatohet për herë të parë. Pra, të gjithë nxënësit që tani janë në klasë të tetë në shtator hidhen në klasë të nëntë dhe ndër të tjera mësojnë edhe për pavarësinë e Kosovës.
Në porosinë për librat e rinj të historisë e gjeografisë të vitit shkollor 2008-2009 kusht për certifikim do të jetë pasqyrimi i kësaj ngjarje me rëndësi madhore për Kosovën, Shqipërinë, Evropën dhe botën, kështu bëri të ditur Ministria e Arsimit. Ndaj botuesit nis që këtë muaj do të marrin nga Bordi i Miratimit të Teksteve Shkollore udhëzime për ndryshimet përkatëse në programet lëndore. Citojmë nga njoftimi zyrtar i ministrisë se "në lëndën e historisë është e nevojshme që ngjarjet të shtrihen deri në datën 17 shkurt 2008 përfshi dhe pavarësinë e Kosovës dhe të pasqyrohen në programin e historisë së klasës së 8, 9 në arsimin bazë dhe historisë të vitit të 3 dhe 4 në shkollat e mesme". Në lëndën e gjeografisë do të ndryshohet teksti për klasën e shtatë, ndërsa nga lënda e historisë ajo për klasën e nëntë të arsimit bazë. Po kështu, në shkollat e mesme pritet të ndryshojë gjeografia e vitit të katërt.
Kështu, shtëpitë botuese duhet të marrin kurrikulën e re referuese për të bërë ndryshimet përkatëse. Historianët do të jenë ata që do të formulojnë tekstin që do të mësojnë nxënësit për Kosovën. Sipas historianes Valentina Duka, në tekstin e klasës së nëntë me titull "Historia e Popullit Shqiptar" flitet për historinë e Kosovës që nga 1912-2000. "Tani që ndodhi kjo ngjarje madhore e shoh të udhës të pasqyrohet si ngjarje përmbyllëse e këtij harku kohor", tha Duka. Ka tre-katër kapituj me çështjet e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë në tekstet aktuale ndaj edhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës do të jetë pjesë e këtij cikli.