E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat e "A3"-shit takohen në Pentagon

Ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë u takuan dje në Uashington me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gejts. Të tria vendet ushqejnë shpresa për një ftesë për anëtarësim në NATO në takimin e ardhshëm të Aleancës në prill dhe sinjalet nga Uashingtoni janë shumë të rëndësishme në këto përpjekje. Takimet me zyrtarët e lartë amerikanë, si me zotin Gejts edhe me zëvendëssekretarin e Shtetit, Xhon Negroponte, u zhvilluan me dyer të mbyllura. Ministri Mediu pohoi se takimi me sekretarin Gejts u zhvillua në një frymë shumë pozitive. Mediu kishte marrë nga sekretari Gejts edhe një herë mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për angazhimin e Shqipërisë në Irak dhe Afganistan. Sekretari Gejts i kishte shprehur gjithashtu përkrahjen që i ofrojnë Shtetet e Bashkuara Shqipërisë në ambiciet e saj për anëtarësim në NATO. Dy shefat e ushtrisë diskutuan gjithashtu edhe mbi një numër projektesh që do të administrohen përmes Departamentit të Mbrojtjes dhe që synojnë modernizimin e ushtrisë shqiptare, në kuadër të reformave ushtarake. Po dje paradite, ministri Mediu zhvilloi një takim edhe me zëvendëssekretarin e Shtetit, Xhon Negroponte. Pas takimit, Mediu tha në komentet për "Zërin e Amerikës" se kishte marrë nga Negroponte angazhimin se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Zëvendëssekretari i Shtetit kishte vlerësuar përparimin e madh të shënuar nga tri vendet aspirante për anëtarësim, duke thënë se përvoja e Kartës së Adriatikut do të zbatohej edhe me vende të tjera që synojnë anëtarësim. Ndërkaq, në kuadër të lindjes së një shteti të ri në Ballkan, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Negroponte kishte nënvizuar edhe një herë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë shtet, duke thënë se ato janë të angazhuara në përpjekje diplomatike për të inkurajuar edhe vende të tjera ta njohin Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›