E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia, notë proteste Shqipërisë për njohjen e Kosovës

Serbia i ka dërguar një notë proteste Shqipërisë ku njohja e pavarësisë se Kosovës është cilësuar në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Nota e protestës i është dorëzuar zv/ministres së Jashtme shqiptare, Edit Harxhi, nga i ngarkuari me punë i Ambasadës së Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç. Sipas deklaratës, vendimi shqiptar cenon të drejtën ndërkombëtare dhe do të sjellë destabilizim të rajonit dhe më gjerë. Diplomati serb, i cituar nga media shqiptare, tha se masat e Serbisë ndaj Shqipërisë do të jenë diplomatike, por nuk mendohet ndonjë embargo. I ngarkuari me punë i ambasadës serbe në Tiranë ka thënë se pas qëndrimit të Shqipërisë ndaj Kosovës, ai nuk mund të presë marrëdhënie të mira me vendin ku ndodhet i akredituar. Zariç bëri të ditur se e kanë thirrur në Beograd për konsultime të mëtejshme. Pas kësaj note proteste, pala shqiptare ende nuk ka reaguar. Në fakt, Beogradi ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe me shtetet e tjera, të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por nota drejtuar Shqipërisë ka pasur një sens më të fortë, duke akuzuar Tiranën si nxitëse e veprimit të Prishtinës. Disa ditë më parë, pikërisht në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, u sulmuan ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Sllovenisë. Ndërkaq, dy ditë më parë, në qytetin verior të Serbisë, Nish u sulmuan edhe disa objekte tregtare sllovene.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›