Të gjithë kundër Ingridit
Pas nominimit, jetesa për Ingridin brenda mureve të shtëpisë së madhe të "Big Brother"-it bëhet edhe më e vështirë. Çimi dhe Titi akuzojnë Ingridin se nuk është vetvetja dhe përpiqet që të bëjë të tjerët të ndihen në faj. Gjithçka ka nisur si debat në një tryezë, ku kanë qenë të pranishëm edhe Nardi me Junën. Më tej, Ingridi ka nisur sulmet ndaj Çimit, e ndërsa fjalori mes tyre ka qenë ai i fyerjeve të ndërsjella. I vetmi që e ka mbështetur disi Ingridin ka qenë Leonardi, i cili është përpjekur edhe ta qetësojë disi situatën. Ingridi është bërë gjithashtu objekti i thashethemeve në gojën e shumicës së banorëve të shtëpisë së madhe të "Big Brother"-it, duke lënë të kuptohet se presin që ajo duhet të jetë e nominuara, që duhet të lërë shtëpinë këtë javë.
Këtë mund ta shihnin lehtë të gjithë natën e spektaklit, kur të nominuarit kanë pasur dikë pranë, e ndërsa Ingridi dukej se nuk ekzistonte për ta. E vendosur në shënjestër të të gjithëve Ingridi është parë edhe e vetme ta mbyllë provën e javës pikturën për të cilën duhet të punonin të bashkuar. Idetë e përcjella nga Ingridi për tablonë nuk janë përkrahur nga pjesëtarët e tjerë të grupit, me të cilin ajo duhej të punonte. Ndryshe nga Ingridi, 2 banorët e tjerë të nominuar, Romina dhe Shkëlqimi, po e presin më me qetësi të shtunën kur do të jepet edhe rezultati i televotimit për personin që do të lërë shtëpinë e madhe të "Big Brother"-it.
Olsi dhe Najada
Sytë e miliona atyre që ndjekin "Big Brother"-in kanë qenë sërish të fokusuar në ndjekje të lëvizjeve të Olsit dhe Nadës në të njëjtin shtrat. Këtë herë gjithçka është dukur se diçka mes tyre duhej të ndodhte, pasi Nada mbante në trup vetëm një rrobdëshan. Olsi thërret Nadën dhe pas masazhit, që tashmë është bërë zakon mes tyre, nata i gjen sërish së bashku. Olsi i kërkon Najadës t‘i qëndrojë asaj çfarë tha Arbana gjatë spektaklit dhe të nisin nga të vërtetat…
Ka pasur ledhatime sigurisht, por për sytë kureshtarë i sigurojmë se asgjë nuk ka ndodhur mes tyre. Olsi është përpjekur të bëjë xheloze Najadën për Junën, duke thënë se do të donte të dinte nga Juna nëse kishte dëshirë të bënte masazh. Frika e një refuzimi nga ana e Junës, duket se po e tremb Olsin t‘i afrohet asaj, edhe pse duket se shfaq interes. Najada ka ditur të shfaqet indiferente ndaj këtij diskutimi, por Olsi justifikohet duke thënë se po pyeste për Titin, pasi, sipas tij, është Titi ai që kërkon nga Juna një masazh. Edhe Olsi nuk ka munguar në bisedat e Junës…
Juna i shprehet Nardit se po habitej me Olsin, pasi, sipas saj, ai nuk i fliste qysh nga nata e spektaklit. Juna i tregon Nardit se nuk e dinte arsyen, e ndërsa shprehet e bindur se nuk do t‘i flasë deri sa ai t‘i flasë i pari. Ndërkohë, në një bisedë me Polin, Olsi shpreh një dëshirë të çmendur për të dehur Junën, por nuk shpjegon motivin.
***
Pas një debati të gjatë dyjavor, më në fund banorët ndajnë turnet për punët e shtëpisë. Olsi dhe Najada pastruan shtëpinë, e ndërsa Besarta dhe Astriti gatuan. Besarta i ka kënaqur të gjithë me tavën dhe ëmbëlsirën që ajo kishte përgatitur, e ndërsa Astriti këtë herë ka shërbyer si një kamerier i mirë.