E Diel, 1 Nëntor 2026

BE para provës së madhe, kush do të votojë kundër?

Bashkimi Evropian do të jetë në sprovë edhe për shkak të Kosovës, me siguri në shkurt, kur Kosova të shpallë pavarësinë. BE-ja duhet me vendosmëri të reagojë. Tashmë është arritur marrëveshja që evropianët të dërgojnë misionin civil prej 2000 policësh dhe gjykatësish në Kosovë. Sllovenia dhe shumica e anëtarëve të BE-së do ta njohin pavarësinë, ndërsa të tjerët do të hamenden, si për shembull Qiproja dhe Rumania, thuhet në një koment të "Deutsche Welle". Më 28 janar, shefat e diplomacive do të miratojnë Planin veprues për dërgimin e misionit evropian. Është kontestuese nëse ai është i mundshëm edhe pa mandatin e Kombeve të Bashkuara. Rusia e kundërshton misionin me të gjitha forcat. Rupel thotë: "Synojmë unitetin. Por nuk e di se a do ta arrijmë këtë. Megjithatë ne dëshirojmë konsensus". Autori i komentit thotë se Sllovenia, si anëtare e re modeste në çështjen e Kosovës, duhet të tregojë plot shkathtësi. Më 1 korrik Presidencën e BE-së e merr Franca me Sarkozinë. BE-ja atëherë duhet të ketë kujdes që të mos bëhet kukull në "teatrin e Sarkozisë", thuhet në këtë koment.

Siç shkruan gazeta britanike "Financial Times" territoret e Kaukazit me popullsi shumicë ruse, Abkazia dhe Osetia Jugore në Gjeorgji dhe Pridnjestrovle në Moldavi, mezi presin që Kosova të shpallë pavarësinë në mënyrë që edhe ato ta bëjnë të njëjtën gjë. Moska, e cila në ato territore "sheh rastin që të përtërijë ndikimin në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe kështu të irritojë Perëndimin", shkruan "Financial Times", nuk mbështet pavarësinë e tyre dhe të Kosovës për shkak të shqetësimeve të efektit të mundshëm të precedentit të tillë me pakicat që jetojnë në pjesën ruse të Kaukazit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›