Çelet Qendra për Studime në të Drejtën Publike
Plot 59 vjet më parë, më 10 dhjetor 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut frymëzuese bazë e Kushtetutave të të gjithë vendeve me demokraci të reja. "Që prej adaptimit të saj në vitin 1948, kjo deklaratë ka qenë dhe vazhdon të jetë një burim frymëzimi në plan kombëtar dhe ndërkombëtar në përpjekjet për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut". Kështu u shpreh Migena Leskoviku, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë gjatë promovimit të "Qendrës për Studime në të Drejtën Publike", në të cilën ajo është drejtore ekzekutive. Leskoviku u shpreh më tej se "si pjesë e shoqërisë civile shqiptare, kjo qendër ka si një nga objektivat primarë të saj, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit; garantimin dhe mbrojtjen e barazisë midis individëve dhe mosdiskriminimin e tyre për çdolloj arsye". Sipas saj, kjo ditë na bën që të reflektojmë mbi dështimet tona në zbatimin e të drejtave të njeriut në praktikë, të dënojmë çdo formë dhune, torture, racizmi, ksenofobie, apo çdolloj padrejtësie. Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, shënon gjithashtu edhe fillimin e një viti festiv të 60-vjetorit të kësaj deklarate me moton "dinjitet dhe drejtësi për të gjithë", për të reflektuar mbi të gjitha arritjet në fushën e të drejtave të njeriut dhe për t‘i çuar përpara ato. "Ajo përforcon vizionin e kësaj deklarate si një angazhim ndaj respektimit të dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë universale. Deklarata universale e të Drejtave të Njeriut dhe vlerat themelore të saj, respektimi i dinjitetit njerëzor, mosdiskriminimi, barazia, drejtësia dhe universaliteti, duhet të zbatohen për të gjithë individët, kudo dhe kurdoherë", theksoi drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Studime në të Drejtën Publike.