E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldo, jashtë Botërorit të klubeve

Ronaldo ka humbur "garën" për t‘u rikuperuar në kohë që të luante me Milanin në Kupën e Botës për klube. Lajmi është bërë i ditur nga administratori i kuqezinjve, Adriano Galiani. "Ronaldo më tha se nuk ia del dot që të luajë në këtë aktivitet dhe se ndien ende dhimbje. Ai do të qëndrojë në Japoni, për të parë ndeshjet e skuadrës", tha Galiani për mediat italiane. "Rreth problemeve fizike të Ronaldos nuk di se çfarë mund të them, pasi nuk jam doktor". Ndërkohë, komiteti organizator i aktivitetit ka pranuar të zëvendësojë Ronaldon me mbrojtësin Favali në listën e futbollistëve që Ançeloti do të ketë në dispozicion. Përpara pak ditëve trajneri kishte deklaruar se sulmuesi brazilian mund të ishte prezent në finalen kundër argjentinasve të Boka Xhunjors që kanë kaluar 1-0 tunizinët e Etoile Sahel. Milani do të ndeshet me Uraua Reds Dajmonds. Galiani ka thënë më tej: "Ronaldo është shumë i zhgënjyer. E hoqëm nga lista e futbollistëve të regjistruar për Botërorin e klubeve, pasi ai vetë na e kërkoi një gjë të tillë. Për datën e saktë se kur do të jetë e mundur ta shohim sërish në fushë nuk mund të them asgjë". Gjatë këtij sezoni braziliani është aktivizuar vetëm në një ndeshje, në sfidën e kampionatit me Kaljarin përpara dy javëve, por dëmtimi i radhës e ka detyruar të qëndrojë përsëri jashtë fushave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›