E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidente në Korçë e Elbasan, një i vdekur e gjashtë të plagosur

Dy aksidente të rënda kanë shkaktuar një të vdekur dhe gjashtë të plagosur rëndë dje. Aksidenti më i rëndë ishte ai që ndodhi rreth orës 16.00 të ditës së djeshme në rrugën Korçë - Kapshticë, në afërsi të fshatit Plasë. Një fuoristradë është përplasur me një autobus udhëtarësh të linjës Tiranë-Selanik dhe si pasojë ka mbetur i vdekur në vend shoferi i fuoristradës, Gazmir Grazhdani, ndërsa një udhëtar është plagosur rëndë. Policia lokale tha se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara të fuoristradës, që i ka ndërprerë rrugën autobusit të pasagjerëve, që lëvizte në drejtim të Kapshticës. Aksidenti ka bërë që për rreth një orë të bllokohet qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Korçë-Kapshticë. Aksidenti tjetër ndodhi në Elbasan. Nga përplasja e dy autoveturave, pesë persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Në mesnatën e së shtunës, në aksin Elbasan-Peqin, në afërsi të fshatit Papër, si rezultat i shpejtësisë së madhe dhe i shkeljes së rregullave të qarkullimit, dy automjetet tip "Mercedez Benz" janë përplasur me njëri-tjetrin duke u shkatërruar pothuajse plotësisht. Aksidenti i rëndë është shënuar 10 km larg Elbasanit rreth orës 23:00 të së shtunës dhe automjetet që janë përplasur mes tyre mësohet të kenë qenë ai i Komunës së Bradasheshit dhe një autoveturë private. Për pasojë, pesë shtetas kanë marrë plagë të rënda. Personave të përfshirë në aksident u është dhënë ndihma e shpejtë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Më pas ata janë transportuar me dy autoambulanca për në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit. Mjekët konfirmuan se të dëmtuarit kishin pësuar fraktura dhe dëmtime serioze dhe se gjendja e tyre ishte kritike për jetën. Të pesë të dëmtuarit kanë përfunduar në koma në spital dhe gjatë këtij aksidenti vetëm drejtuesi i automjetit në pronësi të Komunës së Bradasheshit ka pësuar dëmtime të lehta. Policia ka filluar hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti, që është më i rëndi i regjistruar në rrugët e Qarkut të Elbasanit në dy muajt e fundit. Burime të policisë nuk kanë konfirmuar identitetet e të plagosurve, duke e motivuar këtë me shpejtësinë e veprimeve për t‘i dërguar ata sa më shpejt në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›