Kukës, përshpejtohet legalizimi i objekteve në aksin e autostradës
Ka startuar këto ditë në Kukës promovimi i produktit të parë të agjencisë së legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke dhënë në mënyrë ceremoniale tri nga lejet e para të ndërtimit për banesat e ndërtuara më herët pa leje nga organet kompetente.
Në praninë e një numri pushtetarësh, përfshi kryetarin e qarkut Shefqet Bruka, si dhe prefektin Qamil Cenalia, kryetari i degës së ALUIZNI-t në Kukës, Zenel Kastrati, u ka dhënë tri familjeve Duraku të fshatit Morin lejet përkatëse për shtëpitë e ndërtuara pa leje në vendin ku sot kalon aksi i autostradës. Në fshatin Morin janë dhjetëra pronarë që presin të përfitojnë nga ky shpronësim, ndërsa ALUIZNI nga ana e vet, siç tha kryetari Kastrati, do të vijojë me dhënien e lejeve të ndërtimit duke i legalizuar objektet e ngritura jo vetëm në Kukës dhe në aksin e autostradës, por kudo që ato ndodhen. Objektivi i agjencisë është që deri në fund të vitit 2008 të jepen 50 për qind e certifikatave të pronësisë në shkallë qarku. Numri total i objekteve të ndërtuara pa leje dhe që janë në proces legalizimi në shkallë qarku është rreth 2000, 1200 prej të cilave ndodhen në rrethin e Kukësit, e prej këtyre 800 objekte në Bashkinë Kukës. Në territorin e kësaj të fundit ndodhen të paktën 10 objekte private në ndërtuara në aksin e autostradës, të cilat presin këto ditë pajisjen me leje ndërtimi për të marrë më pas certifikatën e pronësisë, pas të cilës nis shpronësimi. Në territorin e qytetit të Kukësit, që nga pezullimi i punës një vit më parë, nga protesta e banorëve të lagjes nr.3, ende nuk ka nisur nga zbatimi projekti që devijon atë pjesë të autostradës.
Mësohet se dhënia e lejeve të ndërtimit u fillua me Morinin për të lehtësuar procesin e shpronësimit në autostradë, pasi tri shtëpi banimi i takonin pikërisht aksit të veprës në fjalë dhe duhej të prisheshin. "Me marrjen në dorë të certifikatës së pronësisë do të nisë realisht edhe procesi i shpronësimit prej autostradës", tha prefekti Cenalia. Shpronësimi për efekt të autostradës duket se është një çështje e veçuar, por një proces i tillë i rëndësishëm është penguar deri tani për shkak të mungesës të dokumentacionit të pronësisë. Funksionari i Drejtorisë së Shpronësimeve në ministrinë e linjës, Isa Memia, tregon për gazetën "Shqip" se me legalizimin e ndërtimeve do të ecet më shpejt me shpronësimet në aksin e autostradës, duke bashkëpunuar ngushtë me zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Por Memia tha gjithashtu, se ky proces nuk do të ishte i lehtë për llojet e tjera të pronave, si tokë arë etj. "Ka pretendime për çmimet, por ne nuk mund të lëvizim nga ata parametra që pasqyrohen në hartën kombëtare të çmimit të tokës", tha Memia për rastet paraqitura, duke shtuar se këto ditë ka filluar shpronësimi në aksin Rrëshen-Kalimash, ku çmimi i tokës është i përcaktuar 650 lekë për metër katror, ndërsa trualli deri në 15 mijë lekë.